Ç’po ndodh në kufirin greko-turk? Flet fotoreporteri shqiptar i Reuters

Ç’po ndodh në kufirin greko-turk? Flet fotoreporteri shqiptar i Reuters

14:52, 07/03/2020
A+ Aa A-

Fotografi i Reuters, Florion Goga, është prej 5 ditësh ngjitur me kufirin mes Greqisë e Turqisë, për të pasqyruar ardhjen e fluksit të emigrantëve sirianë, qysh se para një javë, Ankaraja mori vendimin t’u hapë atyre dyert drejt Europës.

Flori ngrihet çdo ditë në 5 të mëngjesit në zonën që njihet si Kastanies, dhe punën, bashkë me kolegë të tjerë nga Gjermania, Sllovenia e mbarë Europa, e mbyll shumë vonë.Ai tregon për Mapo se këto ditë fluksi ka rënë. E kanë të vështirë të shohin nga afër refugjatë që tentojnë të hyjnë, pasi kufiri është blinduar, dhe është kthyer në një zonë të rreptë ushtarake.

Duket se më shumë tension ka mes dy ushtrive të dy vendeve, që i ndan vetëm një gardh.

Pala greke lëshon bomba me gaz lotsjellës për të ndalur flukset siriane, dhe në të njëjtën mënyrë përgjigjet ushtria turke.

Flori pohon se para se të vendosej aty, ishte në Bullgari për dy ditë. Edhe aty nuk kishte shumë lëvizje. Mesa duket, zhvendosja e madhe ndodhi vetëm ditën e parë kur u hap kufiri. Më tej, u mbyll në mënyre hermetike nga policia dhe forcat e armatosura greke.

Flori thotë se nuk ka situatë emergjente. Ndërkohë që vërehet se një pjesë e mirë e emigrantëve janë nga Afrika, Afganistani dhe Pakistani.

Një nga gjërat që i ka bërë më shumë përshtypje, është se në një moment të ditës dëgjohen faljet që vijnë nga xhamitë përballë, e më pas në një moment tjetër këmbanat e kishës, në pjesën greke.

Fotografi i njohur, rrëfen për Mapo se stresi më i madh është gjatë natës, ku dëgjohen shumë krisma armësh, që mendohet se janë në fakt batare me plumba manovër, për të mbajtur lart alarmin dhe për të shkurajuar ardhjen në kufinj të refugjatëve./MAPO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco