Udhëtuan me të njëjtin furgon me të infektuarën me koronavirus, të dyshuarit mbahen të izoluar

Udhëtuan me të njëjtin furgon me të infektuarën me koronavirus, të dyshuarit mbahen të izoluar

20:22, 27/02/2020
A+ Aa A-

Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut thonë se një paciente po mbahet në spital me koronavirus dhe se nuk janë shënuar raste të reja, ndërsa priten rezultatet e testit të një të dyshuari tjetër.

Ndërkohë, disa persona që kishin udhëtuar me gruan nga Milanoja e cila rezulton e prekur nga virusi, po mbahen në izolim, raporton VOA.

Autoritetet bënë thirrje që të mos përhapet panik pa nevojë.

Në Maqedoninë e Veriut zyrtarisht ka vetëm një person të infektuar me koronavirus. Tek dy të dyshuar të tjerë, testet kanë rezultuar negative.

Një grua që ishte kthyer nga një qëndrim në Romë, kishte shfaqur simptoma të gripit dhe kërkoi ndihmë mjeksore.

Por rezultatet, sipas autoriteteve spitalore në Shkup, ishin negative. Negative kanë dalë edhe rezultatet e një dyshuari të dytë që ishte shofer kamioni, i ardhur nga zonat veriore të Italisë.

Ndërsa pacientja që u zbulua dje me koronavirus dhe që është ende rasti i vetëm, është e shtrirë në klinikën për sëmundje infektive në Shkup. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se ajo është në gjendje të qëndrueshme dhe se nuk ka nevojë për aparate të frymëmarrjes. Kjo shtetase e Maqedonisë e lindur në Shkup, e moshës 50 vjeçare, kthehej me furgon nga Milanoja e Italisë. Atje kishte qëndruar për një kohë më të gjatë. Po në Milano, ajo kishte kërkuar ndihmë mjekësore para rreth tre javësh, por atje nuk e kishin testuar për koronavirusin. Ajo pas kthimit në Shkup, kishte kërkuar ndihmën e mjekëve pasi kishte shfaqur shenja gripi. Në Shkup u konstatua virusi tashmë i njohur si Covid 19.

Nëntë pasagjerët e tjerë që kishin udhëtuar në furgon me të janë gjetur nga policia në rajonin e Shkupit dhe të Strumicës në juglindje të vendit. Ministri Filipçe tha se ata po mbahen të izoluar dhe në mbikëqyrje dhe se nuk kanë pasur kontakte përveç se me anëtarët e familjeve të tyre. Epidemiologët e Qendrave të Shëndetit publik kanë dalur në terren për t’i anketuar dhe ndjekur gjendjen e tyre.

Autoritetet shëndetësore kanë përgatitur një spital në qytetin e Shtipit për pranimin e rasteve të prekura nga koronavirusi dhe po përgatisin një spital tjetër në Gostivar. Maqedonia e Veriut nuk ka hapur karantina në dy aeroportet e saj as në pikë-kalimet kufitare për personat që kthehen nga vendet ku janë regjistruar raste të vdekjeve nga ky virus.

Vetëm në zonat veriore të Italisë vlerësohet se janë mbi 20 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut të angazhuar me punë.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco