Shkup, miratohet mes debateve Ligji për Prokurorinë

Shkup, miratohet mes debateve Ligji për Prokurorinë

16:14, 16/02/2020
A+ Aa A-

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar me 80 vota pro Ligjin për Prokurorinë Publike, një nga draftet më të diskutuara vitin e fundit në vend. Miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike nxiti polemika të shumta, pasi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, anuloi votimin e parë, ku votuan 74 deputetë pro, nga 80 të nevojshme për të kaluar ligjin.

Kryetari i kuvendit, Talat Xheferi, deklaroi e miratimin e ligjit me 80 vota në përsëritje të votimit, kreu i Grupit Parlamentar, Nikolla Micevski akuzoi nga foltorja e kuvendit deputetë duke i qujtuar “kriminelë”. Ai tha se votimi i parë duhej të ishte pranuar.

Ligji për Prokurorinë Publike synon rregullimin e prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, e cila mbulon edhe lëndët e ish-prokurorisë speciale, që është shuar për shkak të skadimit të mandatit, por edhe përfshirjes së drejtueses së saj, Katica Janeva në aferën e njohur si “Reketi”.

Dallimet kryesore mes partive për ligjin e prokurorisë publike kanë të bëjnë me lëndët gjyqësore që janë ngritur në bazë të aferës së përgjimeve, e që përfshijnë thuajse gjithë ish-zyrtarët e lartë të VMRO DPMNE-së, me në krye ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, i arratisur në Hungari ku ka fituar azilin politik. VMRO-ja kërkonte që me ligjin e ri të anulohen të gjitha proceset gjyqësore që janë ngritur në bazë të aferës së përgjimeve.

Pas miratimit të disa ligjeve të tjera, deputetët pritet të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, që do t’i hapte rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara me datë 12 prill.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco