Borrell telefonon Thaçin e Vuçiçin, zbardhet mesazhi për dy presidentët

Borrell telefonon Thaçin e Vuçiçin, zbardhet mesazhi për dy presidentët

16:35, 15/01/2020
A+ Aa A-

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, bisedoi të mërkurën me telefon me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë e Serbi dhe “rëndësinë e rifillimit të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve”.

 

Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se zoti Borrell konfirmoi vendosmërinë dhe angazhimin e tij si lehtësues i bisedimeve me mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së, raporton VOA.

Ai u përqendrua në mënyrë të veçantë në bisedën me zotin Thaçi lidhur me procesin e formimit të qeverisë së re të Kosovës dhe u bëri thirrje udhëheqësve të partive politike që të ecin me shpejtë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

 

Në njoftim thuhet se ai bisedoi me të dy presidentët për përparimin në rrugën drejt BE-së dhe rëndësinë e këtij përparimi para takimit të lartë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Zagreb në muajin maj.

 

Zoti Borrell ritheksoi synimin e tij për të vizituar Prishtinën dhe Beogradin në javët që vijnë.

 

Ndërkaq, presidenti Thaçi, tha në një njoftim se janë pajtuar me zotin Borrell për nevojën e themelimit sa më shpejtë të institucioneve të reja qeverisëse në Kosovë. Një njoftim thuhet se ai i kërkoi BE-së të përmbushë detyrimin “për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme”.

 

Në njoftimin e zyrës së tij thuhet se “presidenti Thaçi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së u pajtuan rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve”.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

 

Kosova aktualisht ndodhet në një periudhë boshllëku politik, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar. Edhe me shumë se tre muaj pas zgjedhjeve, ende nuk ka një marrëveshje politike për formimin e qeverisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco