Tjetërsuan pronësinë e parcelës/ Arrestohen 5 punonjës të administratës në Komunën e Tetovës

Tjetërsuan pronësinë e parcelës/ Arrestohen 5 punonjës të administratës në Komunën e Tetovës

17:08, 30/12/2019
A+ Aa A-

Policia maqedonase ka ndaluar të hënën pesë punonjës të administratës së Komunës së Tetovës, për shkak të dyshimeve për përfshirje në privatizimin e paligjshëm dhe legalizimin e një parcele.

Policia është vënë në kërkim edhe ndaj gjykatësit Zoran Teofilovski, pasi Prokuroria për Luftë kundër Krimit të Organizuar, ka ngritur akuza edhe ndaj tij, raporton VOA.

Tetë persona gjithsej akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe të autorizimit zyrtar. Për dy prej të akuzuarve prokuroria ka kërkuar masa sigurie, ndërsa për të tjerët masën e arrestit.

Z. Teofiloski është anëtar i Këshillit Gjyqësor republikan. Ai në vitin 2011 ka bërë shpërdorimin së bashku me punonjësit e Komunës, sipas Prokurorisë.

Sipas njoftimeve të prokurorisë, personat e akuzuar kanë bërë privatizimin e paligjshëm të një fushe tenisi, pronë e shtetit në Tetovë me një vlerë prej 860 mijë eurosh dhe më pas e kanë bërë legalizimin e saj në mënyrë joligjore duke ia kaluar shoqatës sportive “Luboten”, kryetar i së cilës ka qenë gjykatësi Teofilovski.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi u ka thënë gazetarëve se është e njoftuar me rastin, por se nuk e komenton, duke ia lënë kështu Prokurorisë të bëjë hetimet dhe procedimet.

Zoi Teofilovski të hënën në mëngjes nuk u paraqit në seancën e rregullt të Këshillit Gjyqësor.

Korrupsioni dhe shpërdorimet sidomos në gjyqësor paraqesin shqetësim për shoqërinë në Maqedoninë e Veriut, teksa partitë kryesore politike nuk kanë mundur të bien dakord mbi ligjin për Prokurorinë publike, pas mbylljes së Prokurorisë së Posaçme, shefja e së cilës, Katica Janeva akuzohet për mitëmarrje dhe një proces gjyqësor po zhvillohet ndaj saj dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Në këtë vend jo rrallë ndodh që rastet gjyqësore të zvarriten pa kufi dhe ato të vjetërohen, duke lënë për rrjedhojë të akuzuarit të lirë.

Aktivistët që vëzhgojnë proceset dhe reformat në gjyqësor shprehin zhgënjim me për këtë dhe për mosdënimin e politikanëve dhe personave publikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco