Reformimi i sistemit zgjedhor/ Zvicra jep 12 milion franga, për qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Reformimi i sistemit zgjedhor/ Zvicra jep 12 milion franga, për qeverinë e Maqedonisë së Veriut

20:55, 25/11/2019

Ambasada e Zvicrës në Shkup, i jep 12 milion franga Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për reformimin e sistemit zgjedhor.

Në memorandumin e bashkëpunimit që u nënshkrua mes kryeministrit të vendit Zoran Zaev dhe ambasadores së Zvicrës në Shkup, Sibil Zuter Tehada, u përfshi realizimi i programeve, që duhet të sjellin reforma në të gjitha institucionet kyçe, të gjitha partitë politike dhe informimin e qytetarëve, për përgjegjësinë dhe llogaridhënien e të zgjedhurve të popullit.

Sipas kryeministri Zoran Zaev, qëllimi kryesor i programit është realizimi i zgjedhjeve kredibile dhe demokratike, që do të mundësojnë pjesëmarrje politike të qytetarëve, përmes zgjedhjes së përfaqësueseve të tyre, nga të cilët më vonë do ju kërkojnë llogaridhënie.

 “Konkretisht programi duhet të rezultojë me përforcimin e institucioneve, të cilët zbatojnë procese zgjedhore fer dhe cilësore, gjithashtu fokusi do të jetë në demokratizimin e brendshëm të partive politike, politikat dhe programet zgjedhore të të cilave, do duhet të jenë orientuar kah qytetarët dhe nevojat e tyre. Nga ana tjetër qytetarët do të jenë më mirë të edukuar dhe informuar, për të kërkuar llogaridhënie nga partitë politike dhe funksionarët e  zgjedhur”.

Ky investim thekson ambasadorja Zuter Tehada, shpreson të sjellë ndryshime në këtë vend, sepse siç tha ajo, shteti i Zvicrrës është i interesuar të kontriuboj për demokratizimin e Maqedonisë së Veriut.

 “Ne duam që partitë politike t’i bëjmë përgjegjëse para qytetarëve të tyre, gjegjësisht para votueseve të tyre. Gjithashtu duam të investojmë në në arsimin demokratik, që ato  të dijnë se partitë politike, duhet të jenë përgjegjëse para tyre. Uroj që ky projekt për 10 vjet të bëjë ndonjë ndryshim, sepse Zvicra është aktive në demokratizimin e këtij vendi dhe dëshiron të sjellë kontribut në demokratizimin e vendit”.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë paraparë që të mbahen në prill të 2020-tës, kurse kryeministri Zoran Zaev zotohet se ka kohë të mjaftueshme që të bëjnë ndryshime të këtij lloji si dhe të bëjnë ndryshim të modelit zgjedhor, ku  propozimi i LSDM-së është me lista të hapura dhe një njësi zgjedhore, si dhe përfshirje e përfaqësimit gjinor 50-50 në listat zgjedhore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco