Greqia i kërkon fonde BE-së për Turqinë, me qëllim ndalimin e fluksit të emigrantëve

Greqia i kërkon fonde BE-së për Turqinë, me qëllim ndalimin e fluksit të emigrantëve

18:32, 26/09/2019

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të ndajë më shumë para për Turqinë, në mënyrë që kjo e fundit të ndalojë rrjedhën në rritje të migrantëve në Evropë.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka kërcënuar se do t'i hapë dyert për migrantët dhe refugjatët, nëse partnerët ndërkombëtarë nuk i japin më shumë ndihmë.

Në Turqi aktualisht ndodhen mbi 3.6 milionë refugjatë nga Siria, raporton Rel.

Një ditë pas takimit me Erdoganin, Mitsotakis tha se marrëveshja e vitit 2016, me të cilën Bashkimi Evropian ka marrë përsipër ndarjen e 6 milionë eurove për Turqinë, në këmbim të frenimit të migrantëve, është nën "presion të rëndë".

"Është shumë e qartë për mua se kemi nevojë për marrëveshje të re", tha Mitsotakis, i cili ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

"Turqia duhet të angazhohet për ruajtjen e marrëveshjes dhe Bashkimi Evropian duhet ta dijë se Turqia po strehon miliona refugjatë dhe duhet t'i sigurojë asaj mbështetje shtesë financiare, pas vitit 2019", tha Mitsotakis.

Mitsotakis ka marrë qëndrim më të ashpër ndaj migrantëve sesa paraardhësi i tij, Alexis Tsipras, i cili i ka mirëpritur ata në baza humanitare.

Mitsotakis, konservatorët e të cilit e kanë mundur Tsiprasin në zgjedhjet e korrikut, tha se numri i "migrantëve ekonomikë" në Greqi po rritet.

Ai tha se do të bëjë presion për më shumë mbështetje nga vendet e tjera të BE-së dhe shtoi se është "thellësisht e padrejtë" që vendet lindore refuzojnë të kontribuojnë në zgjidhjen e çështjes së migrantëve dhe refugjatëve.

Evropa, në vitin 2015, është përballur me krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore.

Mbi 1 milion njerëz, të ikur kryesisht nga vatrat e luftës në Lindjen e Mesme, kanë hyrë në kontinent. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco