Greqia siguron SHBA-në, cisterna iraniane nuk do ndihmohet

Greqia siguron SHBA-në, cisterna iraniane nuk do ndihmohet

19:09, 21/08/2019
A+ Aa A-

Greqia ka thënë se nuk do ta ndihmojë një cisternë iraniane, e cila nga porti i Gjibraltarit besohet se po shkon drejt një porti grek.

Zëvendës-ministri i Jashtëm grek, Miltiadis Varvitsiotis i tha televizionit grek se Athina ishte “përballur me presion” lidhur me cisternën, për të cilën Uashingtoni pretendon se është e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit.

Varvitsiotis shtoi se cisterna është shumë e madhe për të hyrë në ndonjë nga portet e Greqisë dhe nuk mund të shkarkojë ligjërisht naftën e saj të papërpunuar në vlerë 130 milion dollarë në rafineritë e Bashkimit Evropian, raporton Rel.

Cisterna u konfiskua më 4 korrik nga marinsat britanikë, jashtë Gjibraltarit, pasi dyshohej se po transportonte naftë në Siri.

Gjibraltari tha se kjo paraqet shkelje të sanksioneve të BE-së. Pas disa javësh, Gjibraltari e liroi transportuesin, si dhe kundërshtoi një urdhër për ndaljen e anijes nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara më 19 gusht lëshuan një paralajmërim për Greqinë, si dhe për të gjitha portet në Detin Mesdhe, në lidhje me ofrimin e ndihmës për cisternën iraniane.

Këto mosmarrëveshje kanë ardhur mes tensioneve në rritje midis Iranit dhe Perëndimit, veçanërisht Shteteve të Bashkuara, që kanë përfshirë disa incidente brenda dhe rreth Gjirit Persik, nga i cili transportohet rreth një e pesta e dërgesave ndërkombëtare të naftës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco