Deputetët pritet të votojnë shpërndarjen e Kuvendit

Deputetët pritet të votojnë shpërndarjen e Kuvendit

18:18, 21/08/2019
A+ Aa A-

Deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës pritet që të enjten, më 22 gusht, të marrin vendim për shpërndarjen e Kuvendit.

Seanca për t’i dhënë fund edhe kësaj përbërje të legjislaturës pa i skaduar mandati kushtetues, pason dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës. Haradinaj, pati dhënë dorëheqje pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte, raporton Rel.

Deputetët, si ata në pushtet ashtu edhe në opozitë, konsiderojnë se pas qëndrimeve të partive politike se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk mund të pritet diçka tjetër në seancë përveç votimit për shpërndarjen e Kuvendit.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, cili është edhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka shprehur besimin e tij se të enjten Kuvendi do të shpërndahet dhe vendi do të shkojë në një proces të ri zgjedhor.

"E mundur është gjithçka, por unë nuk kam ndonjë informacion që deputetët janë deklaruar kundër qëndrimeve që kanë kryetarët e partive të tyre dhe meqenëse është kështu, po besoj se të gjithë janë të vendosur për ta shkarkuar vetveten", tha Haliti për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se mënyra se si po shkohet në drejtim të shpërndarjes së Kuvendit, nëse shikohet nga aspekti kushtetues ka hapësirë për diskutim, pasi që sipas tij, në vendet demokratike nuk veprohet kështu.

"Në praktikat e vendeve demokratike është diçka që nuk aplikohen variantet e tilla, pa i hargjuar mundësitë e tjera kushtetuese që kanë institucionet. Sidoqoftë, ky është vullnet i kryetarëve të partive politike dhe i grupeve parlamentare", tha Haliti.

Ndërkaq, deputetja opozitare, Arberie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i thirrjes së seancës është shpërndarja e legjislaturës aktuale dhe kështu do të ndodhë.

"Duke pasur parasysh se të gjitha subjektet tashmë janë deklaruar se janë për shpërndarjes të Kuvendit dhe se janë deponuar nënshkrimet, ne presim dhe shpresojmë se nuk do të ketë ndonjë skenar të paplanifikuar, edhe pse bazuar edhe në përvojat e kaluara, befasitë e momentit të fundit nuk janë krejtësisht të përjashtuara në Republikën e Kosovës. Megjithatë shpresojmë që nesër pa vonesë do të miratohet shpërndarja e Kuvendit dhe do t'i hapet rrugë zgjedhjeve të reja", tha Nagavci.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco