Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

VIDEO skandalet në Maqedoni/ Prokurorja e posaçme pranon bisedën me biznesmenin

VIDEO skandalet në Maqedoni/ Prokurorja e posaçme pranon bisedën me biznesmenin

22:05, 09/08/2019
A+ Aa A-

Rasti gjyqësor ‘Zhvatja’ në Maqedoninë e Veriut dita ditës po ngre dyshime për përfshirjen e mundshme të prokurores së posaçme në largim Katica Janeva. Bëhet fjalë për një skandal korrupsioni prej qindra mijë eurosh.

Një prokurore tjetër e Prokurorisë së Posaçme hodhi sot akuza ndaj zonjës Janeva se pa pajtimin e saj ka marrë vendime lidhur me një rast gjyqësor. Ndërkohë, gazetari Branko Geroski cili e zbuloi skandalin, duke folur për Zërin e Amerikës u shpreh se ‘pret një tërmet politik në vend’.

Një ditë pas publikimit në shtypin italian të audio dhe video regjistrimit rreth skandalit të njohur në Shkup si ‘zhvatja’, rasti po merr një kthesë me prokuroren e posaçme Katica Janeva e cila nuk mohon se në audio regjistrim dëgjohet zëri i saj.

Janeva, e cila ndodhet në pushim jashtë vendit, në një prononcim me shkrim thekson se kishte shkaqe të arësyeshme për të biseduar me biznesmenin Orce Kamçev, por ajo nuk i shpjegon këto arësye.

‘Kam biseduar, - shkruan ajo më tej, - për shtimin e shkallës së bashkëpunimit me të dyshuarit për zbulimin e njoftimeve të reja në të mirë të hetimit’. Prokurorja e posaçme në largim, Janeva thotë më tutje se nuk ka bërë pazar të asnjë forme për ushtrimin e ndikimit dhe nuk ka keqpërdorur detyrën e as ka vepruar në kundërshtim me ligjin. Ajo shprehet e habitur se si veprimet e saj si prokurore e posaçme po i ndërlidhin me rastin gjyqësor ‘zhvatja’.

Ndërkohë, prokurorja tjetër Lile Stefanova e prokurorisë së posaçme e cila e procedon një prej lëndëve ku akuzohet biznesmeni i njohur maqedonas Orce Kamçev, hedh poshtë akuzat që sot i janë bërë në gazetën italiane La Verita.

Biznesmeni Orce Kamçev dyshohet për larje parash dhe vepra të tjera në rastin gjyqësor ‘Perandoria’ që e po heton Prokuroria e posaçme. Në videon e publikuar dje në gazetën italiane La Verita u pa biznesmeni me dy persona të tjerë, Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13 dhe Zoran Milevski duke numëruar shuma të mëdha parash dhe duke i përcjellë deri tek dera ata të dy me valixhe në të cilat mendohet se kishte 1 milion Euro për ta blerë kështu lirinë e tij nga paraburgimi.

Gazetari Brako Geroski është ai i cili përmes një teksti me emra të imagjinuar dhe identitete të fshehura, por ngjarje të vërteta inicoi zbulimin e skandalit të madh. Ai ka hedhur akuza ndaj prokurores së posaçme Janeva si të përfshirë në skandalin e korrupsionit, ndërsa thekson se vendin e pret një dramë tepër serioze politike.

‘Qysh në fillim kisha njoftime jozyrtare se këtë që tash e publikoi gazeta italiane La Verita, këto regjistrime ekzistojnë dhe se ka shumë më tepër material nga kjo që është publikuar deri më tani’, thotë gazetari.

Gazetari Geroski bën vërejtje në adresë të gjyqësorit ‘që nuk u aktivizua me shpejtësi për procedimin e rastit dhe për pasojë po ndodh një tërmet i madh politik’, shprehet ai.

Gazetari Geroski pret të ketë përgjegjësi politike nga një pjesë e rëndësishme e elitës politike në pushtet, por mbase edhe të një pjese të elitës në opozitë, për çka thotë se edhe nëse nuk janë të përfshirë në mënyrë direkte në skandal, ekziston përgjegjësia e tyre për afërsinë, ndikimin dhe mbështetjen e këtyre aktiviteteve kriminale.

‘Unë në mënyrë publike e këshillova kryeministrin Zaev që të bëjë gjithçka mundet si politikan më i përgjegjshëm që t’i nxisë organet e hetuesisë që sa më parë dhe me efikasitet t’i përfundojnë hetimet për të arritur drejtësinë dhe t’i nxisë njerëzit rreth vetes që politikisht ishin përfshirë në mbështetjen të kësaj strukture të zhvatësve - që të bartin përgjegjësi politike’, thotë gazetari Geroski. /VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco