Zaev: Vendimi për të mos na hapur negociatat, mundësi për rrëzimin e qeverisë

Zaev: Vendimi për të mos na hapur negociatat, mundësi për rrëzimin e qeverisë

08:50, 08/06/2019

Raporti pozitiv nga Komisioni i BE e ka rritur besimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut se pas shumë pritjeve vendi do të shënojë edhe një hap në drejtim të integrimit evropian.

Nga Deutsche Welle

A do të marrë Maqedonia e Veriut datë për negociata me BE-në për anëtarësim në Bashkim Europian? Kjo çështje është tema kryesore në Maqedoninë e Veriut (RMV). Kryeministri i RMV Zoran Zaev pas vizitës në Bruksel deklaroi, se Maqedonia e Veriut ka marrë vendime shumë të rënda dhe me të drejtë pret që kjo të shpërblehet, por nëse ndodh e kundërta, që vendi të mos i nisë bisedimet për anëtarësim, atëherë me gjasë qeveria e tij do ta humbasë mbështetjen.

"Nëse vendosin që të mos e caktojnë datën, kjo do të ishte mundësi për rrëzimin e qeverisë. Kjo qeveri stabile me të gjitha këto vendime pozitive, me siguri se menjëherë do ta humbë shumicën në kuvend, pasi deputetëve u kemi premtuar që me siguri se do të marrim mendim pozitiv nga Bashkimi Evropian nëse ecim përpara”, ka deklaruar Zaev.

Edhe zëvendëskryeministri për çështje të eurointegrimit, Bujar Osmani është shprehur plot optimizëm se Maqedonia e Veriut do t'i çelë bisedimet e anëtarësimit kësaj vere. "Unë jam optimist nga ajo që dëgjoj, nga valorizimet, nga vlerësimet që marrim nga vendet anëtare përfshi këtu edhe Parisin se kjo storie nuk mund të injorohet dhe Maqedonia e Veriut t'i fillon bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Osmani.

Opozita maqedonase thotë se nuk meritojmë caktimin e datës

Opozita maqedonase konsideron se qeveria është e paaftë për të çuar para procesin eurointegrues, andaj edhe nuk pret marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian. "Gjasat janë të vogla. Ka mundësi, por ato janë shumë të vogla, kjo para së gjithash për shkak se ende nuk i kemi bërë detyrat si duhet. Sikur të kishim një dosje të shkëlqyer sa i përket përmbushjes së detyrimeve, do të ishte shumë e vështirë që të refuzoheshim. Paramendoni një shtet si Gjermania që ka qenë mbështetësja më e fuqishme, tani ka dilema dhe kërkon që çështja e datës të mbetet për në vjeshtë”, ka deklaruar Ilija Dimovski nga VMRO DPMNE-ja.

?BE-ja duhet t'i japë dorën Maqedonisë së Veriut

Njohësit e çështjeve politike gjithashtu flasin për pasoja, nëse Maqedonia e Veriut nuk nis së shpejti negociatat për anëtarësim pas raportit pozitiv të Komisionit Evropian dhe rekomandimit për hapjen e bisedimeve. "Mosdhënia e datës për nisjen e bisedimeve do të nënkuptonte dëshpërim dhe ulje të shpresës për përparim dhe mirëqenie në vend. Një dëshpërim i tillë mund të sjellë edhe pasoja tjera sa i përket rritjes së migrimit pasi shumë të rinj do të vazhdojnë të ikin nga vendi në kërkim të një jete më të mirë”, thotë analisti Sasho Klekovski.

Deri ditën kur do të mbahet samiti i Këshillit Evropian zhvillohen bisedime politike, mund të bëhen lëshime, por mundet që vendet anëtare të mbeten në qëndrimet e tyre të forta, se ende nuk është koha që në samitin e qershorit të jepet data, thotë analisti Muhamed Halili.

"Nëse presidenti Macron mbetet në këtë qëndrim, kjo nuk është mirë pasi do të jetë një rrugë e gjatë pasi reformat e brendshme evropiane nuk mund të bëhet për një apo pesë muaj, por kërkojnë një procedurë të gjatë”, thotë ish-diplomati Muhamed Halili.

Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për Politikë Evropiane vlerëson, se mos çelja e negociatave mund të jetë dekurajuese për vendin në veçanti pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë. "Kemi raport shumë të pastër dhe shtyrja e eventuale e vendimit për në vjeshtë besoj se më tepër do të kishte të bënte me çështjet brenda unionit se sa me kushtet e vendit”, thotë Jordanova

Analisti Sasho Ordanovski ka paralajmëruar se në shtator nuk përjashtohen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, nëse vendi nuk do të marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në. "Nëse nuk marrim datë për negociata me BE-në, shpërndarje të kësaj qeverie dhe zgjedhje të jashtëzakonshme, janë strategjia e vetme logjike për konsolidimin e mëtejmë të suksesit të arritur të kësaj qeverie. Në ato zgjedhje votuesit do të duhet të zgjedhin: duan vazhdimin ose rënien e variantit maqedonas të Republikës së Vajmarit, pasi historikisht këtu "djegia e Rahstagut” nuk pati sukses me forcat jodemokratike në prill 2017”, vlerëson Ordanovski.

Presidenti i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker ka bërë të ditur se ende nuk ka pajtim të plotë ndërmjet vendeve anëtare të BE-së për të autorizuar hapjen e negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut. Jozyrtarisht vendet që hezitojnë hapjen e negociatave janë Gjermania, Franca e Holanda.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco