VIDEO/ Përgatitjet e fundit për vizitën e Papa Françeskut në Shkup

VIDEO/ Përgatitjet e fundit për vizitën e Papa Françeskut në Shkup

17:28, 24/04/2019

Papa Françesku meshën do ta mbajë në sheshin Maqedonia në ora 11 më 7 maj. Në hapësirën ku do mbahet mesha do mund të futen vetëm qytetarët që kanë siguruar biletë hyrëse nga Kisha Katolike dhe dokument për identifikim edhe atë vetëm në periudhën prej ora 6 deri në ora 9, pas çka hyrja në shesh do të jetë e ndaluar. Këto janë vetëm një pjesë e hollësive për vizitën historike të Papës në vend që sot i njoftuan kryeministri Zoran Zaev, peshkopi Kiro Stojanov dhe sekretari shtetëror në MPJ, Viktor Dimovski.

“Janë paraparë edhe vende për ulje, rreth 2 mijë. Vendet e tjera do të jenë për qëndrim në këmbë. Por në kuadër të trupit koordinues është biseduar dhe do të ketë edhe punkte ku qytetarët do mund të furnizohen me ujë që të mund t’i plotësojnë edhe ato nevoja”, deklaroi Viktor Dimovski, sekretar shtetëror në MPJ.

Kryeministri Zoran Zaev u përqendrua në rëndësinë e vizitës që e quajti historike. Arsyet që papa ka vendosur të vizitojë vendin, sipas tij, është 25 vjetori i marrëdhënieve diplomatike, kremtimi i Shën Kirilit dhe Metodit në Vatikan, por edhe fakti që Shkupi është vendlindja e shenjtores Nëna Terezë.

Atij iu bashkëngjit edhe peshkopi Kiro Stojanov, i cili i ftoi edhe besimtarët edhe qytetarët në shesh.

Papa do të arrijë në Maqedoninë e Veriut më 7 maj me një fluturim special. Në aeroport do ta presë presidenti Gjorge Ivanov dhe më pas të dy do të shkojnë në Vilën Vodno. Atje, Papa do të ketë takime të ndara me familjen e Ivanovit, pastaj edhe me Kryeministrin Zaev dhe familjen e tij, më pas do t’i drejtohet udhëheqësisë së shtetit, përfaqësuesve të korit diplomatik dhe organizatat joqeveritare. Më vonë, në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës, do të takohet me udhëheqësit fetarë në vend ndërsa janë paralajmëruar aktivitete edhe me qytetarët e varfër dhe dialog me të rinjtë e feve të ndryshme. Në varësi të motit, është e mundur që Papa ta shëtisë qendrën e qytetit me makinë. /Alsat-M/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco