'Bandë e Prishtinës, merrni ato letra dhe sikter'!

'Bandë e Prishtinës, merrni ato letra dhe sikter'!

07:41, 18/03/2019
A+ Aa A-

«Bandë e Prishtinës, merrni ato letra dhe sikter», me këto fjalë presidenti serb Aleksandar Vuçiqi iu drejtua para pak ditësh politikanëve të Prishtinës. Sikter është fjalë turke dhe domethënë: «shporru» ose «pirdhu». Një gjuhë e tillë nuk është presidenciale, por askënd nuk duhet ta befasojë.

Nga Enver Robelli

Në korrik 1995 Vuçiqi kërcënohej se për një serb të vrarë do të vriten 100 myslimanë. E thoshte këtë në parlamentin e Serbisë, kur forcat e serbëve të Bosnjës, të ndihmuara nga Beogradi, po kryenin në Srebrenicë gjenocidin e parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Muaj më parë, në mars 1995, Vuçiqi, atëbotë pionier luftë- dhe urrejtjenxitës i Vojisllav Sheshelit, bardit të shovinizmit serb, vizitoi Glinën, një qytet në Kroaci të pushtuar nga serbët, dhe premtoi: «Kurrë Kraina serbe (Srpska Krajina), kurrë Glina nuk do të jenë kroate! Kurrë Banija nuk do të kthehet në Kroaci! (…) Nëse radikalët serbë fitojnë dhe e mposhtin presidentin e Serbisë (Sllobodan Millosheviqin), ju e dini se do të jetoni në Serbinë e Madhe, një shtetin unik serb dhe këtu nuk lëshojmë pe».

Gjuha me (nën)ton racist është pjesë e biografisë politike të Vuçiqit. Kur në fillim të vitit 2017 Vuçiqi nisi nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës një tren, menjëherë filloi një kacafytje verbale mes Beogradit dhe Prishtinës. Duke parë rrezikun e intervenimit të forcave speciale të policisë së Kosovës për të ndalur trenin, Vuçiqi i dha urdhër lokomotivistit të frenojë në Rashkë, pak kilometra para kufirit me Kosovën. Pastaj kryeministri i atëhershëm serb i krahasoi shqiptarët me indianët e Amerikës: ndoshta shqiptarët i kanë shfrytëzuar dredhitë indiane dhe kanë vendosur veshin në hekurudhë për të dëgjuar nëse po vinte treni, por atë tren nuk e kanë parë, tha Vuçiqi. Kësisoj ai përpiqej t’i përshkruante shqiptarët si «racë më të ulët», pra serbët në rolin e amerikanëve dhe shqiptarët në rolin e indianëve. Edhe përdorimi i fjalës turke «sikter» për etiketimin e politikanëve shqiptarë të Kosovës ka këtë synim: shqiptarët si «mbetje osmane» dhe Vuçiqi si përfaqësues i «kombit të kulturuar serb».

Si çdo gjuhë e popujve të Ballkanit, edhe serbishtja përmban mijëra fjalë me rrënjë turke (osmane). Ja disa prej tyre në orgjinal që kuptohen lehtë edhe në shqip: «du?an, hajduk, kesa, džep, še?er, bekrija, be?ar, duvan, boja, bubreg, limun, badem, majmun, šal, pamuk, sapun». Jo vetëm serbët fjalën turke «maymun» e kanë përvetësuar dhe futur në përdorim si «majmun». Orientalistja e njohur serbe Ollga Zirojeviqi supozon se gjuha serbe përmban më shumë se 8 mijë fjalë (me origjinë) turke. Asnjë gjuhë tjetër nuk ka pasur ndikim më të madh mbi serbishten se turqishtja. Këtë e dëshmojnë edhe këto fjalë: «jorgan, kafa, kafana, kašika, rakija, ?arapa, para, pekmez, kajmak, sarma, ?ardak, kapija, baksuz, komšija, ?asa, testija, džezva, fildžan, bakra?, ?ev?ir, sanduk, ?ilim, sokak, ?orsokak, dušman, ortak, javašluk, komšiluk, baksuzluk». Edhe romani i famshëm «Ura mbi Drinë» që në titull përmban një fjalë turke: «Na Drini ?uprija».

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco