U arratis në Hungari, prokuroria, fletëarrest ndërkombëtar për Nikolla Gruevskin

U arratis në Hungari, prokuroria, fletëarrest ndërkombëtar për Nikolla Gruevskin

11:55, 05/03/2019
A+ Aa A-

Prokuroria maqedonase njoftoi të hënën se për ish-kryeministrin Nikola Gruevski dhe një ish-agjent të sigurimit në Maqedoninë e Veriut janë lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare me rastin e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit në parlament. Ky është urdhri i dytë që lëshohet ndaj ish-kryeministrit Gruevski, pas atij të lëshuar në muajin nëntor për akuzën e shpërdorimit të fondeve publike, pas arratisjes së tij drejt Hungarisë.

Prokurorët maqedonas kanë kërkuar zyrtarisht lëshimin e fletë-arresteve ndërkombëtare për ish-kryeministrin Nikola Gruevski dhe një ish-agjent të Sigurimit të dyshuar për ngjarjet në parlament në prill të vitit 2017.

Prokuroria për krimin e organizuar dhe korrupsionin deklaroi se ndaj dy ish-zyrtarëve është dorëzuar paraprakisht masa e paraburgimit prej 30 ditësh pranë Ministrisë së Brendshme.

Gruevski prej muajsh jeton në arrati, ndërsa ish-pjesëtari i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Nikola Boshkovski, është larguar drejt Greqisë disa muaj më parë.

Kreu i mëparshëm i qeverisë maqedonase, por edhe Boshkovski, përballeshin më herët me akuzën e përgjimit të më shumë se 20 mijë shtetasve apo zyrtarëve maqedonas, skandal i cili nxiti edhe dorëheqjen e Gruevskit në vitin 2016.

Ish-kryetari i VMRO në muajin nëntor pritej gjithashtu të fillonte dënimin me dy vite burg për një rast korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, por përmes rrugëve diplomatike ka arritur të strehohet në Hungari me statusin e azilantit politik.

Kërkesat formale për ekstradimin e Gruevskit nuk kanë pasur sukses, ndërsa në fundmuajin e kaluar policia hungareze i dha fund hetimeve rreth mbërritjes së ish-qeveritarit në vend, duke shtuar se asnjëra palë nuk kishte shkelur ligjet në fuqi.

Në radarin e prokurorisë maqedonase janë kapur edhe ish-kreu i Kuvendit, Trajko Veljanovski, së bashku me dy ish-Ministra të tjerë, po ashtu të akuzuar për dhunën në parlament në vitin 2017.

Këta të fundit gjenden në paraburgim, ndërkohë që ish-kryeparlamentari Veljanovski, tashmë edhe deputet, i ka shpëtuar masës ndëshkimore përmes imunitetit politik.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco