Gruevski, braktiset edhe nga avokatët

Gruevski, braktiset edhe nga avokatët

14:54, 17/12/2018

Gjykata penale e Maqedonisë ka caktuar që ish-kryeministri Nikola Gruevski të mbrohet nga një avokat i caktuar nga shteti, pasi tre prej avokatëve të tij personalë kanë hequr dorë nga përfaqësimi i klientit të tyre. Gruevski, një nga njerëzit më të pushtetshëm në vend gjatë dekadës së kaluar, ka këmbëngulur prej fillimit se proceset gjyqësore ndaj tij janë të montuara politikisht, edhe pse ai përballet me një sërë akuzash.

Tre avokatë të ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski kanë hequr dorë nga përfaqësimi i klientit të tyre përpara gjykatës.

Gjykata penale e Maqedonisë vendosi të hënën që i pandehuri Gruevski, ish-kryetari i VRMO-së që prej një muaji strehohet në Hungari si azilant politik, të mbrohet nga nja avokat i caktuar nga shteti.

Tre avokatët thanë në seancat e shkuara se ata nuk mund të veprojnë më në interes të klientit të tyre, duke shprehur dyshime rreth paanshmërisë së trupit gjykues.

Gruevski po hetohet nga Prokuroria Speciale e Maqedonisë për një sërë akuzash, mes të cilave edhe për nxitje të dhunës në komunën Qendër gjatë zgjedhjeve të vitit 2013.

Në deklaratat e tij nëpërmjet rrjeteve sociale, Gruevski, një nga njerëzit më të pushtetshëm në vend për një dekadë, ka theksuar se ai është përndjekur rregullisht që kur u detyrua të japë dorëheqjen në janar të vitit 2016.

Ndërkohë, autoritetet maqedonase ende nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet partnere në Hungari për ekstradimin e Gruevskit, me gjithë apelin ndërkombëtar se ish-zyrtari i lartë duhet të vuajë dënimet e dhëna nga gjykatat e vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco