Lika me zyrtarin e DASH: Marrëveshja me Greqinë, shembull guximi dhe kreativiteti në rajon

Lika me zyrtarin e DASH: Marrëveshja me Greqinë, shembull guximi dhe kreativiteti në rajon

20:01, 17/07/2018
A+ Aa A-

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistem Politik, Hazbi Lika së bashku me Sekretarin Shtetëror, Faton Ahmeti, sot realizuan takim pune me Pete Maroko, zëvendësndihmës Sekretar dhe zyrtar i lartë për Byronë e Operacioneve të Konflikteve dhe Stabilizimit si dhe delegacionin e tij shoqërues në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lika, siç njofton zyra për informim e Kabineti të tij, e informoi Maroko për situatën aktuale të proceseve qeveritare në shtet dhe hapave të ndërmarra në sferën e konsolidimit dhe harmonizimit të interesave të komuniteteve brenda shtetit.

"Falë platformave dhe bashkëpunimeve kemi arritur të instalojmë një demokraci më të mirëfilltë e cila na frymëzon të vazhdojmë këmbënguljen për të ndjekur qëllimet tona drejt NATO-s dhe BE-së"- tha Lika.

Në kontekstin e arritjeve me aktuale në rrugën euroatlantike, Maroko përgëzoi marrëveshjen e emrit me Greqinë, duke potencuar se Republika e Maqedonisë ka shërbyer si shembull i guximit dhe kreativitetit në rajon. Ai, gjithashtu, shtohet më tej në kumtesë, shprehu rëndësinë e synimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe falënderoi Likën për durimin dhe ballafaqimin me faktorët rrënues gjatë këtij procesi kompleks për shtetin.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe rreth identifikimit dhe mënjanimit të faktorëve destruktiv në procesin e përforcimit të shoqërisë multietnike dhe në ecurinë e procesit të eurointegrimeve.

Në këtë aspekt, Lika theksoi se do të vazhdojnë përpjekjet për zbatimin e mirëfilltë të parimeve të MO-së dhe njëherësh falënderoi Maroko për përkrahjet e kahmotshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë qenë vendimtare në sigurimin e barazisë midis komuniteteve në Republikën e Maqedonisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco