Kroacia siguron vendin e tretë, mposht Marokun në 'finalen e vogël' të Katarit

Kroacia siguron vendin e tretë, mposht Marokun në 'finalen e vogël' të Katarit

18:00, 17/12/2022
A+ Aa A-

Kroacia mposht Marokun me rezultatin 2-1 dhe siguron vendin e tretë në Botërorin e Katarit, teksa lojtarët do të rikthehen në shtëpi me medalje.

Pas statusit të nënkampiones në Botërorin e kaluar, kombëtarja ballkanase me në krye trajnerin Zlatko Daliç ia del sërish të bëjë një paraqitje mëse dinjitoze, ndërsa nga ana tjetër, për t’u vlerësuar edhe i gjithë rrugëtimi i Marokut që ishte edhe surpriza më e madhe në Katar.

Ndërkaq, sa i takon kronikës së ndeshjes, pjesa e parë nisi me ritëm maksimal teksa ishin kroatët ata që gjetën të parët rrugën e rrjetës me anë të Josko Gvardiol. Talenti i mbrojtjes shënoi me kokë pasi ekzekutimi perfekt të një skeme nga goditja e dënimit.

Megjithatë, nga ana tjetër, marokenët nuk u impresionuan dhe reaguan menjëherë teksa në aksionin pasardhës barazuan shifrat me anë të Dari. Mbrojtësi shfrytëzoi një harkim nga goditja e dënimit e kryer nga Ziyech dhe me kokë mposhti portierin Livakovic.

Minutat në vijim ishin më të balancuara teksa një rast nga hiçi e krijoi Modric me lëvizjet e tij mashtruese në hyrje të zonës. Mesfushori ballkanas gjeti hapësirën për të goditur portën, por portieri Bounou reagoi në dy kohë dhe largoi rrezikun me Livajën që ishte i gatshëm të përfitonte.

Kroatët mbetën më kërkues në fushë dhe u shpërblyen teksa në të 42-tën, Orsiç shënoi një gol të bukur duke gjetur këndin më të largët në kuadratin maroken.

Me shifrat 2-1 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën, nervat në fushë ishin të larta teksa loja u karakterizua nga shumë dyluftime.

Maroku kërkoi me ngulm golin e barazimit me En-Nesyrin pati shansin më të mirë, por portieri Livakovic reagoi me shpejtësi dhe mbylli hapësirat. Kroacia nga ana tjetër kërkoi me anë të kundërsulmit, por Kovaçiç gaboi një mundësi të shkëlqyer.

Gjithsesi, në fund, gabimi i mesfushorit nuk ndikoi në rezultat dhe Kroacia e mbyll Botërorin në vend të tretë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco