Humbja e Iranit në Kupën e Botës përballë Shteteve të Bashkuara u prit me brohoritma e festime nga protestuesit në Teheran dhe qytete të tjera të vendit.
Tubuesit e përshëndetën me të madhe daljen e vendit nga turneu si një goditje për regjimin në pushtet.
Irani u eliminua nga kampionati në Katar pas humbjes 0-1 të martën, duke i dhënë fund kështu një fushate e cila ishte lënë sakaq në hije nga protestat antiqeveritare që kanë shpërthyer prej muajsh të tërë në vend.
Por një 27-vjeçari festa në rrugë i kushtoi jetën.
Aktivistët thonë se forcat iraniane të sigurisë e qëlluan me plumb në kokë Mehran Samak për shkak se po i binte borisë së makinës, duke festuar humbjen e ekipit kombëtar.
Policia raportohet te kete hapur zjarr ndaj njerëzve edhe në qytetin jugperëndimor të Behbahan e ka rrahur egërsisht një grua në Qazvin.
© SYRI.net