Gjermania ndërhyn për të zgjidhur ngërçin e Interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë Kryeministrat dhe ministrat kosovarë e shqiptarë në ceremoninë e inaugurimit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë më 26 qershor 2016

Gjermania ndërhyn për të zgjidhur ngërçin e Interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë

14:08, 14/09/2017
A+ Aa A-

Qeveria Federale e Gjermanisë ka dorëzuar një kërkesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës në lidhje me statusin e operatorit të transmetimit të Kosovës, mosmarrëveshje që ka bllokuar funksionimin e linjës së re të interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ministria e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit të Gjermanisë ka kërkuar në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë të vendosë në lëvizje Qendrën për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve dhe Negociatave për të lehtësuar komunikimin mes Serbisë dhe Kosovës për mosmarrëveshjen e vjetër mes operatorit të transmetimit të Serbisë, EMS dhe operatorit të transmetimit të Kosovës, KOSTT, bëri të ditur Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë përmes një njoftimi për shtyp.

Sipas njoftimit, Ministria Gjermane e Bashkëpunimit Ekonomik “është veçanërisht e shqetësuar për shkak se kjo mosmarrëveshje po pengon investimet në sektorin e energjisë në rajon dhe po bllokon integrimin e tregut rajonal të energjisë në Ballkanin Perëndimor”.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë është një zyrë rajonale me qendër në Vjenë që ka për detyrë zbatimin e Traktatit të Athinës, i cili parashikon një treg të përbashkët energjetik mes Ballkanit dhe Bashkimit Europian. Traktati është nënshkruar në Athinë në vitin 2005.

Banka Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim KfW ka financuar pjesën më të madhe të kostos së ndërtimit të një linje interkonjeksioni që lidh sistemin elektroenergjetik shqiptar me sistemin elektroenergjetik të Kosovës.

Linja, e cila ka kushtuar 75 milionë euro, kërkoi shumë vite për t’u ndërtuar dhe shumë vonesa. Ajo u inaugurua me fanfara në qershor 2016, por pavarësisht se është gati prej mëse një viti, nuk është vënë në punë për shkak se Serbia nuk njeh operatorin e transmetimit të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT dhe ka të drejtë vetoje në rrjetin europian të operatorëve të transmetimit ENTSO-E.

Shqipëria dhe Kosova janë duke humbur miliona euro përfitime potenciale nga mosfunksionimi i linjës, ndërsa Serbia e ka kushtëzuar njohjen e KOSTT si entitet të veçantë me dhënien e një licence për shpërndarjen e energjisë elektrike në Mitrovicën e veriut brenda territorit të Kosovës.

Qeveria shqiptare është ankuar më herët në Sekretariatin e Energjisë në Vienë dhe në tetor 2016, Serbia u shpall fajtore për shkeljen e Traktatit të Athinës dhe iu kërkua të lirojë rrugën brenda dhjetorit 2016. Megjithëse dhjetori kaloi, Serbia nuk iu bind kërkesës dhe as nuk u ndëshkua për shkeljen për shkak se ndëshkimi duhet të vijë në formën e masave politike nga ana e këshillit të ministrave të Komunitetit të Energjisë.

Sipas njoftimit për shtyp, Sekretariati i energjisë “do të kontaktojë qeveritë e Serbisë dhe Kosovës dhe do të organizojë procesin e ndërmjetësimit në të ardhmen e afërt”. Ndërmjetësimi nga Sekretariati nuk është lajm i ri për situatën. Gjithsesi, supozohet se kërkesa e ardhur kësaj here nga qeveria Gjermane do të mund t’i japë zgjidhje problemit, njofton Kallxo.com

Funksionimi i linjës së interkonjeksionit mund t’i hapë rrugën një bashkëpunimi më të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë në sektorin e energjisë elektrike me përfitime të ndërsjellta financiare për të dyja vendet./BIRN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco