Rama po përpiqet të mashtrojë protestuesit duke thënë se ligji për investimet strategjike nuk do të ekzistojë më.
Gjatë një konference me gazetarë nga Bashkimi Europian, kur u pyet nëse do të respektojë kushtet e vendosura në raportin IBAR për këtë çështje Rama tha:
'Ligji për investimet strategjike kurrë nuk ka qenë i padrejtë për të thënë këtë gjë fillimisht dhe shumë njerëz që flasin për këtë as nuk e dimë për ç' flasin, por gjëja e mirë është që do ta lëmë jashtë sepse e ka përmbushur misionin e vetë dhe nuk ka rëndësi. Nuk është se po luftojmë për të, nuk është se do të themi që vlerësimi është i gabuar, thjesht do ta lëmë jashtë.
Megjithatë, ligji për investime strategjike na ka ndihmuar të sjellim në këtë vend më në fund disa investime që përndryshe nuk do të kishin ndodhur. Tashmë nuk na duhet më një ligj për investime strategjike sepse kapitali po hyn dhe investuesit e mëdhenj po vijnë dhe në fakt nuk duan t'ja dinë për lehtësira. Duan natyrisht status të mbrojtur e kështu me radhë, por nuk kemi probleme me këtë. Kam përshtypjen që është pjesë e kuadrit negociator dhe po punojmë tashmë për një ligj të ri për investimet kështu që po punojmë me Bashkimin Evropian për këtë.' deklaroi Rama.
Projekti i Zvërnecit ka ngritur shqetësim dhe në Bruksel.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier ka folur lidhur me projektin e Zvërnecit, i cili ka shkaktuar protesta masive në vendin tonë. Në një deklaratë, Mercier bëri të ditur se shqetësimet e KE në lidhje me këtë projekt i janë përcjellë Ministrit të Mjedisit, i cili njoftoi më pas se punimet janë pezulluar.
Mercier tha se janë ngritur edhe më herët shqetësime për rojektin, teksa theksoi se çështja e ndikimeve mjedisore të investimeve strategjike, veçanërisht në zonat e mbrojtura, është përmendur edhe në raportet e zgjerimit të BE-së për Shqipërinë. Zëdhënësi i KE theksoi më tej se janë në dijeni që projekti është subjekt i hetimeve të vazhdueshme nga SPAK, të cilat shtrihen përtej aspektit mjedisor.
© SYRI.net