Dorian Teliti, këshillitar Ekonomik i PD-së, i ftuar në Syri TV u shpreh se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë shpopullimi, ku rreth 33 mijë të rinj të larguar përbëjnë një shifër më të madhe se popullsia e një qyteti si Lushnja.
Sipas tij, ky eksod i të rinjve po godet drejtpërdrejt themelet e shoqërisë dhe po vë në rrezik tregun e punës dhe sistemin e pensioneve.
Ai theksoi se mungesa e shpresës, problemet ekonomike dhe degradimi i arsimit dhe shëndetësisë janë faktorët kryesorë të këtij fenomeni.
Teliti paralajmëroi se rreth 740 mijë pensionistë përballen me pensione të ulëta dhe kushte të vështira jetese, në një sistem gjithnjë e më të paqëndrueshëm. Sipas tij, pasojat e shpopullimit po ndihen në çdo sektor të ekonomisë, nga bujqësia te turizmi, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.
Ai e cilësoi situatën si rezultat të një modeli ekonomik të kapur nga oligarkia dhe klientelizmi, ku rritja nuk sjell mirëqenie për qytetarët.
Pjesë nga deklarata:
33 mijë të larguar, pra të rinj më pak në Shqipëri, është më tepër sesa vetë qyteti i Lushnjes, i cili ka afërsisht 27 mijë banorë sipas të dhënave të fundit. Pra, të zhdukësh gjithë qytetin e Lushnjes dhe të largosh jashtë Shqipërisë, përveç kësaj, të largosh edhe 6 mijë të tjerë. Dhe kjo shifër, sidomos e shoqëruar më pas edhe me numrin e përgjithshëm të lindjeve, pra sepse kjo është mosha më vitale, mosha e riprodhimit njerëzor më e lartë, e cila duhet të kontribuojë në shtimin e numrave në shoqëri dhe të përgatisë brezat e ardhshëm, përbën atë që ne e kemi quajtur këmbanën më të madhe të alarmit: shpopullimin.
Kjo ka ardhur për arsye nga më të ndryshmet, ku kryesoret kanë qenë mungesa e shpresës, arsyet ekonomiko-financiare, mungesa e shërbimeve bazike si arsimi dhe shëndetësia, me të cilat të gjithë ne përballemi. Me arsim dhe shëndetësi që janë tej çdo standardi, për të cilat dëgjojmë një propagandë monstruoze, sikur këtu po ndodhin mrekullitë, kur në anën tjetër shohim shkolla që mbyllen dhe rini, fëmijët tanë, të cilët gjithnjë e më shumë mungojnë në bankat e shkollës.
Ndërsa shifra tjetër, pra e rritjes së numrit të pensionistëve… Nga njëra anë, shyqyr Zotit që prindërit tanë dhe njerëzit tanë po jetojnë më gjatë, dhe kjo ka ardhur në linjë me zhvillimet globale dhe me ndryshimet e ecurisë së shekullit të fundit dhe të këtyre 26 viteve të para. Po nga ana tjetër, kush do t’i mbajë këta pensionistë? Me çfarë do të paguhen pensionet e tyre nëse nuk ka rini që të punojë për të mbushur financiarisht arkën e pensioneve?
Ky është sistemi që ne kemi ngritur. Sistemi i ngritur është që ata që punojnë sot mbajnë në këmbë dhe financojnë ata që kanë punuar dje. Ata që kanë punuar dje, që janë prindërit tanë, e kanë dhënë kontributin e tyre për këtë Shqipëri, për shoqërinë, na kanë lindur, na kanë rritur dhe na kanë arsimuar. Por nëse ne nuk vazhdojmë jetën tonë këtu në Shqipëri dhe e ndërtojmë jetën jashtë vendit, kush do ta mbajë moshën e tretë?
Prandaj sot kemi një varfëri ekstreme në moshën e tretë. Sot kemi afërsisht 740 mijë pensionistë, ku rreth 700 mijë prej tyre jetojnë në kushte të mjerueshme. Pensioni mesatar në qytet është rreth 180 euro, ndërsa në fshat 110–120 euro. Për çfarë do t’u mjaftojnë këtyre njerëzve? Vetëm faturat e ilaçeve janë të mëdha, pa llogaritur faturat e dritave, ujit, ushqimit dhe veshjes.
Pra, shpopullimi masiv që po i ndodh Shqipërisë në këto vite është diçka që nuk po vret thjesht shoqërinë apo ekonominë, por po vret vetë të ardhmen e shoqërisë shqiptare, si për brezat aktualë ashtu edhe për ata të ardhshëm.
Kush do të na punojë tokën nëse fshatari largohet nga fshati? Kush do të punojë në fabrikë për të prodhuar mallra dhe produkte nëse nuk ka më punëtorë? Kush do të punojë në sektorin e turizmit, që përmendet shpesh, nëse nuk ka të rinj për kamarierë, shërbyes, recepsionistë apo kuzhinierë?
Kush do të punojë në këtë vend nëse nuk do të ketë më njerëz? Do të bëhemi një vend i shkretë, me vetëm pensionistë dhe pastaj të mbushur me punëtorë të huaj nga Bangladeshi apo Filipinet? Kjo nuk është Shqipëria që ne duam, nuk është Shqipëria që kemi aspiruar dhe aspirojmë.
Ne duam një vend normal, ku secili, me mundësitë dhe aftësitë e veta, të çojë jetën përpara, të krijojë familjen e vet, të rrisë fëmijët, t’i arsimojë dhe t’u krijojë mundësi, duke i pasur afër zemrës dhe shpirtit. Nuk është normale që fëmijët të rriten deri në 18 vjeç dhe pastaj t’u thuhet largohu nga vendi, largohu nga gjiri i familjes.
Është pjesa më vitale e shoqërisë, ajo që mban shoqërinë në këmbë. Nuk janë vetëm ata që hyjnë sot në tregun e punës 24–25 vjeçarët, por edhe ata që do të punojnë për 40 vite deri në pension dhe do të gëzojnë vitet e tyre të jetës.
Ekonomia shqiptare ka kapitulluar. Ajo mbahet në këmbë nga një ekonomi oligarkësh dhe tenderash klientelistë. Edhe nëse GDP-ja rritet në mënyrë statistikore, mirëqenia nuk shpërndahet te qytetari i thjeshtë.
Rritja ekonomike duhet të jetë gjithëpërfshirëse, por sot përfitojnë vetëm një grusht oligarkësh dhe një klientelë qeveritare. Ndërkohë, qytetari i thjeshtë, arsimtari, mjeku, infermieri, ushtaraku, polici dhe punonjësi i administratës publike nuk e ndjejnë këtë rritje.
Politikat e 11 viteve të fundit kanë dobësuar shtresën e mesme, kanë dëmtuar rininë dhe biznesin, prandaj sot shumë njerëz janë në protestë. Nuk është më çështje politike, por çështje ndryshimi.
Njerëzit sot janë në shesh me një qëllim të vetëm: largimin e qeverisë dhe hapjen e rrugës për një qeveri tranzitore drejt zgjedhjeve. Nuk mban më ujë pilafi. Mjaft.
© SYRI.net