Nga Grigels Muçollari
Shpallja e armiqve të brendshëm e të jashtëm është tanimë prioritet i Edi Ramës në këtë moment krize ku ndodhet. Çdo ditë e re e protestës, që është një kërkesë më shumë e mbështetur për largimin e tij, është për Edi Ramën një mundësi për të zbuluar komplotin e radhës.
Në fillim ishin grekët, pastaj serbët, pastaj iranianët, pastaj blogerët, pastaj intelektualët, pastaj CNN dhe së fundmi, paskan indentifikuar edhe Reuters si kundërshtar të përparimit të Shqipërisë.
Kam ndjekur ca kohë Presidentin e Serbisë se si reagoi ai kur studentët dhe të rinjtë mbushën sheshet në Beograd dhe kërkuan largimin e tij.
Që ditën e parë ai zbuloi armiq. Shqiptarët ishin në listë, të akuzuar. Nën akuzë prej Vuçiçit qenë dhe perëndimorët dhe mediat e huaja. Agjentë dashakeqë shihte ngado ai.
Njësoj dhe Edi Rama. Njësoj si Vuçiç, nuk sheh mangësitë e problemet e qeverisjes, korrupsionin dhe arrogancën si burimin kryesor të revoltës, por do që s’bën të fajësojë dikë jashtë vetes. Kjo i ndihmon për të fituar edhe një ditë dhe për të larguar vëmendjen.
Rama është denoncuar shumë për lidhjet speciale me Vuçiç. Shpesh kam dyshuar dhe kam menduar nëse qëndrojnë në të vërtetë këto raporte. Por duke parë që sillen njëlloj në ditë të vështira, atëherë kjo më vjen si konfirmim për kiminë mes tyre.
Derisa janë kaq të ngjashëm, derisa shkruajnë një editorial së bashku, derisa janë të rrethuar nga armiq tërë kohës, shpesh të njëjtët, atëherë me të vërtetë ata janë shumë të afërt, janë ashtu siç denoncohen.
© SYRI.net