Protestat qytetare kundër pushteti abuziv të Edi Ramës janë thelbësore për një shoqëri të shëndetshme, por ajo që po ndodh aktualisht në rrugët e kryeqytetit fsheh një ngërç të madh logjik dhe politik.
I këtij mendimi është analisti Endri Tafani, i cili i ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv tha se reagimi spontan i qytetarëve, ndonëse plotësisht i justifikuar, po vuan nga mungesa e një vizioni dhe e një projekti afatgjatë.
Sipas tij, edhe pse entuziazmi i turmës ka si synim kryesor rrëzimin e qeverisë, por dilema fillon pikërisht ditën pas fitores imagjinare.
Për Tafanin, me një parlament të dominuar në tre të pestat nga Partia Socialiste, një dorëheqje e mundshme e Edi Ramës do të prodhonte thjesht një zëvendësim emrash.
Por nga ana tjetër, shton analisti, thirrjet për zgjedhje të parakohshme përplasen me një realitet absurd, pasi protestuesit deklarojnë se janë kundër të gjitha partive politike aktuale dhe u kërkojnë atyre të qëndrojnë larg sheshit.
Përtej zemërimit të ligjshëm, thekson ndër të tjera Tafani, nëse nuk krijohet një alternativë e re për të garuar në zgjedhje, energjia e mijëra njerëzve rrezikon të shndërrohet thjesht në një shkarkim emocional pa asnjë rezultat konkret për ndryshimin e ligjeve apo të sistemit.
Sikur ta dinte njeri përgjigjen e kësaj pyetjeje, domethënë, do ishte kjo nga këto pyetjet një milion dollarëshe sepse në Shqipëri është bërë e rrallë...protestat gjithmonë të mira janë kur kryhen. Domethënë, është ajo ideja që duhet të rebelohesh ndaj pushtetit dhe sidomos kur pushteti është abuziv, është diçka e cila do të jetë ngacmuese për çdo qytetar dhe jo vetëm ngacmuese në kuptimin që të shqetëson, po edhe ngacmuese që të të bëjë të veprosh. Edhe në këtë rast ata njerëzit që kanë dalë aty kanë bërë shumë mirë dhe vazhdojnë të dalin dhe duhet të dalin dhe më tepër dhe duhet të vazhdojnë. Pyetja është se ku do të shkohet me këtë gjë? Pra, a ka ndonjë projekt politik nga mbrapa?
Në qoftë se ja, bie Rama, çfarë bie? Bie qeveria. Pra Rama do iki. Ti ke praktikisht një parlament në të cilin po themi 3/5 i ka PS-ja. Atëherë kush është kërkesa, të iki Rama dhe pastaj të vijë Taulant Balla kryeministër? Apo të vijë dikush tjetër? Apo po kërkon zgjedhje të reja? Apo po kërkon thjesht heqjen dorë nga ky projekt? Apo po kërkon ndryshim të ligjeve po themi ligjin për investimet publike e të tjera. Pra ideja është që nuk ka një shteg, ose një rrugë, apo një plan i cili të ndiqet. Pra, do të thotë që bie Rama dhe të bëhen zgjedhje të reja. Atëherë do bëhen zgjedhje të reja, po në zgjedhjet e reja kush do konkurrojë? Do konkurrojnë këto parti që janë. Atëherë në qoftë se do konkurrojnë këto parti që janë, ti nuk mund të jesh pastaj kundër këtyre partive sepse çfarë sensi ka? Domethënë, në qoftë se janë këto parti që konkurrojnë dhe ti thua jo këto parti duhet të jenë jashtë protestës apo nuk duhet që ta marrin apo ta privatizojnë këtë protestën... domethënë, ku je duke vajtur? Çfarë do provosh?
Dhe kjo është ajo pikëpyetja e cila kur përballesh pra kur tenton që të bësh një dialog dhe ata thonë ne jemi kundër të gjithëve dhe jemi kundër këtij... kundër të gjithëve, po çfarë? Domethënë ka një diferencë midis atyre që janë pak më të pjekur dhe duan të shikojnë përtej një reagimi të momentit dhe atyre të cilët janë duke reaguar në moment dhe thonë "okej të reagojmë se të paktën diçka po ndodh", e kupton? Pra duket sikur për momentin nuk është se ka plan, përveç planit që të dalësh aty, të protestosh dhe të bësh të ditur që je i mërzitur me situatën dhe do që situata të ndryshojë. Po deri këtu është për momentin. Pra, nuk po duket ndonjë gjë, ndonjë synim më afatgjatë. Mbase është dhe herët, për një synim afatgjatë. Protesta është në ditën e dhjetë. Nuk është se ka po themi muaj dhe sepse mbase do dhe kohën e vet që të piqet. Për shembull në qoftë se ka aty brenda protestës elementë të cilët pastaj kanë ambicie për politikë apo të tjerët dhe që mund pastaj të organizojnë një projekt politik.
© SYRI.net