I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, nënkryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Bujar Muço, ka kritikuar ashpër nismat e qeverisë, duke i cilësuar si të pazbatueshme dhe të shkëputura nga realiteti i biznesit në Shqipëri.
Muço u shpreh me ironi se qeveria “ka shkëlqyer” gjatë 13 viteve të saj në pushtet, duke shtuar se historiku i kësaj periudhe ka prodhuar “dështime, dështime dhe vetëm dështime”. Sipas tij, edhe nisma e re rrezikon të ndjekë të njëjtin fat.
Ai argumentoi se bizneset e vogla dhe të mesme nuk kanë infrastrukturën e nevojshme për t’iu përshtatur kërkesave të reja teknologjike, duke përmendur mungesën e internetit në një pjesë të madhe të territorit të vendit, si dhe vështirësitë që hasin bizneset në procesin e fiskalizimit.
Sipas tij, qeveria promovon vazhdimisht modernizimin dhe inovacionin, por nuk merr parasysh kushtet reale në të cilat operojnë bizneset e vogla. Ai e konsideroi këtë një politikë të qëllimshme që, sipas tij, i ekspozon bizneset ndaj gjobave dhe penaliteteve, duke ua bërë gjithnjë e më të vështirë mbijetesën.
Muço theksoi se biznesi i vogël dhe i mesëm përbëhet kryesisht nga struktura familjare me pak të punësuar, të cilat nuk disponojnë staf të specializuar teknologjik apo këshillimor si kompanitë e mëdha. Për këtë arsye, ai argumentoi se ndryshimet duhet të zbatohen gradualisht dhe të shoqërohen me trajnime dhe periudha përshtatjeje..
Nënkryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm ngriti gjithashtu shqetësimin për numrin e bizneseve që, sipas tij, kanë falimentuar gjatë viteve të fundit. Ai deklaroi se numri i bizneseve aktive në Shqipëri ka rënë nga rreth 196 mijë para 13-14 vitesh në rreth 103 mijë aktualisht, duke ia atribuar këtë rënie politikave qeveritare.
Muço:
Kjo qeveri, si në të gjitha fushat, ka shkëlqyer në këto 13 vjet qeverisje. E shohim që dhe në këtë nismën që ka marrë, besoj se do shkëlqejë dhe produkti do jetë më se i dukshëm. E them këtë me ironi sepse, po të marrësh historikun e këtyre 13 vjetëve të qeverisjes të kësaj qeverie, do shohim që dështime, dështime, dhe vetëm dështime. Unë po përqendrohem te pyetja që juve më drejtuat. Dhe them që kjo është e paaplikueshme, e paaplikueshme sidomos në kategorinë e biznesit të vogël dhe të mesëm, sepse nuk kemi infrastrukturë. Qeveria mund të thotë që dhe biznesi i vogël e i mesëm do t'i presi kuponat aty që nga hëna po... a është e mundur kjo? A ka infrastrukturë sot shteti apo biznesi? Ne e dimë që pjesa më e madhe e territorit të Shqipërisë nuk mbulohet me internet. Bizneset kanë vështirësi në prerjen e kuponave të fiskalizuar sepse u mungon interneti apo u mungojnë disa pajisje të tjera. E pamë ç'ndodhi me AKSHI-n, e pamë ç'ndodhi me fiskalizimin.
Të njëjtën gjë do të ndodhi dhe tashmë. Mirëpo si gjithmonë kjo qeveri trumbeton me të madhe modernizimin, inovacione të përparuar dhe nuk e dinë të vërtetën, realitetin se çfarë do. Dhe unë e shikoj këtë si një formë ose si një politikë të qëllimshme për ta lënë biznesin e vogël e të mesëm zbuluar përballë gjobave dhe penaliteteve. Për ta mërzitur biznesin e vogël e të mesëm për ta bërë të pamundur për t'u përshtatur me këto forma dhe këto mënyra, dhe të mbyllen, edhe të ikin dhe të falimentojnë biznese, siç kanë falimentuar këto 10 apo 12 vjet, gjysma, 50% e bizneseve që kanë operuar në Shqipëri, në biznesin e vogël e të mesëm.
Nuk është përgatitur fare sepse në radhë të parë njëherë nuk është konsultuar dhe nuk është asfaltuar. E dyta nuk ka infrastrukturë dhe nuk ka nivelin... nuk ka nivelin e dijes, ta themi, nivelin arsimor që kjo të përshtatet me këtyre kaq modernizimeve kaq të mëdha, siç i kërkon qeveria. Ne nuk jemi kundër zhvillimit të inovacionit, e të teknologjisë. Por duhen hapat e duhur, duhet koha e duhur, duhen trajnimet e duhura, duhet koha e duhur që biznesi i vogël të ketë, të përshtatet dalëngadalë. Duhet të dini njëherë, biznesi i vogël e i mesëm është i vetëpunësuar dhe dihet që nuk është si bizneset e mëdhaja që kanë një staf teknologjik, që kanë një staf këshillmor siç janë, me fjalë teknologjia e avancuar. Bizneset e vogla janë biznese familjare që janë me dy, tre, apo maksimumi deri me katër të punësuar, dhe nuk është e mundur.
Dhe e thashë edhe njëherë e përmenda siç e përmenda dhe më sipër, siç dështuam edhe në çështjen e fiskalizimit që u detyruan bizneset e vogla dhe të mesme të kishin një kosto shtesë, të punësojnë... biznesi i vogël të punësojë një ekonomist, një kontabël për t'i mirëmbajtur të gjithë këtë teknologji kaq domethënë modernizuar, kaq të specifikuar, të punësojë dhe t'i rriti kostot e tij. Prandaj thashë edhe njëherë, a ka mundësi, ne i kemi bërë thirrje edhe nëpërmjet mediave, i kemi bërë thirrje qeverisë të bëjë ndryshime të konsultuara, por dhe të përshtatura në realitetin se çfarë është në të vërtetë në Shqipëri, çfarë infrastrukture ka, çfarë specializimi, çfarë niveli ka biznesi i vogël e i mesëm. Dhe prandaj, mirëpo unë këtë e shikoj, thashë edhe njëherë e shikoj si një formë për ta vështirësuar biznesin, për ta vështirësuar dhe për ta nxjerrë zbuluar përballë penaliteteve.
Fitimi, siç e kemi parë edhe njëherë, falimentimi i qindra mijëra bizneseve. Ne e shikojmë që politika e kësaj qeverie është që bizneset e vogla dhe të mesme të kalojnë në dorën... sepse biznesi i vogël e i mesëm është e përqendruar në formën e shërbimeve. Dhe këto shërbime, qeveria me politikat e saja, është munduar t'ua japë oligarkëve, t'ua japë pseudoqëndra tregtarë apo pjesëve të tjera dhe të falimentojë. Unë po u sjell një shifër, e kam përmendur dhe herë të tjera, por po u jap statistika të sakta. Në qoftë se para 13 apo 14 vjetëve në Shqipëri kanë operuar 196 mijë biznese, sot janë përgjysmuar, janë 103 mijë biznese. Atëherë pse kanë falimentuar këta biznese?
Nga paaftësia e tyre? Nga konkurrenca midis njëri-tjetrit? Jo. Janë nga politikat që ka ndjekur kjo qeveri me këto forma, siç është edhe kjo formë që po diskutojmë sot ne, që këta biznese kanë falimentuar dhe kanë marrë rrugët... rrugët e botës, rrugët e Evropës. Dhe interesi i qeverisë është që çdo gjë, siç në të gjitha fushat e tjera, po dhe biznesin e vogël e të mesëm do që ta ketë nën kontrollin e saj edhe t'ua japë atyre që u jep fondet dhe që e mbajnë në pushtet.
© SYRI.net