Edi Rama lajthiti sërish sot në mëngjes, kur lëshoi një lumë me epitete fyese për opozitën për çështjen e raportit të IBAR.
Në një postim të gjatë, Rama thotë se opozita gënjeu për çështjen e miratimit të IBAR, edhe pse në fakt raporti u bllokua për katër muaj, ndryshe nga sa ndodhi me Malin e Zi kur raporti u miratua menjëherë.
Por edhe pse raporti u miratua me kushte shumë të forta kundër qeverisjes së tij, Rama thotë sërish se fajin e ka opozita.
“Thanë negociatat u bllokuan.
Thanë Shqipëria u ndëshkua.
Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua.
U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje”, shkruan Rama.
E vërteta është se lajmin se raporti i IBAR nuk po kalon për shkak të kundërshtive të shumë vendeve të BE, të udhëhequra nga Gjermania, e dhanë mediat e huaja dhe gazetarët e akredituar në Bruksel.
Madje ishte pikërisht radio ‘Evropa e Lirë’ që njoftoi specifikisht se ky bllokim lidhet me faktin që Edi Rama vendosi të mbrojë Belinda Ballukun dhe veten e tij.
Në shkrimin me titull: “Çështja për të cilën BE-ja nuk bën kompromis me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë,” thuhet konkretisht: “Sfida e fundit ka të bëjë me refuzimin e deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë për t’ia hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është e akuzuar për korrupsion.
Deputetët nga Partia Socialiste në pushtet kanë refuzuar t’ia heqin asaj imunitetin dhe vendimi është mirëpritur prej vetë kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se Parlamenti ka bërë “atë që do të bënte çdo shtet demokratik në Evropë”.
Brukseli nuk është pajtuar me deklaratën e Ramës se kërkesa për heqje të imunitetit nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar që diçka e tillë ka ndikuar drejtpërdrejt në rezistencën e disa vendeve anëtare që t’ia garantojnë Shqipërisë një të ashtuquajtur IBAR pozitiv”.
Kujtojmë se Radio Evropa e Lirë është një media e financuar nga shteti amerikan. Ajo ka qenë një faktor kyç i SHBA në luftën kundër bllokut komunist.
© SYRI.net