Gjykata Kushtetuese ka vijuar edhe sot t’i dalë në ndihmë kryeministrit Edi Rama në lidhje me ankimin e këtij të fundit, për të kundërshtuar kërkesën e SPAK mbi pezullimin e Zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga detyra, pasi është në hetim për abuzimin dhe prishjen e garës në tenderat publikë, me një vlerë qindra milionë euro, si afera e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe në Tiranë.
Duke mos arritur të marrë një vendim për ankimin e Ramës në lidhje me çështjen e Belinda Ballukut, Kushtetuesja e ka shtyrë për herë të dytë shqyrtimin e saj, duke konfirmuar skenarin e denoncuar nga opozita, se me vonesat e saj në vendimarrje, kërkon të djegë afatin 3 mujor të shqyrtimit të mandatit të ministres në Kuvendin e Shqipërisë, pas kërkesës së SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë në ‘arrest shtëpie’.
Kujtojmë se në Kushtetuese është kërkesa e SPAK për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut dhe në Kuvend është kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, proces i cili po mbahet peng nga Grupi Parlamentar i PS-së, duke mos e shqyrtuar kërkesën e organit special të akuzës brenda afateve ligjore dhe si rrjedhojë, nqs kalojnë 3 muaj pa një vendim, digjen afatet për kërkesën e SPAK për të arrestuar Zëvendëskryeministren e marrë nën hetim penal.
Mbledhja në dhomë këshillimi, e zhvilluar këtë të martë, nuk prodhoi një vendimmarrje përfundimtare, duke e lënë çështjen të hapur për një seancë tjetër.
Sipas afateve ligjore, Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë për të marrë një vendim përfundimtar, afat i cili skadon më 22 shkurt.
© SYRI.net