Kryeministri Edi Rama ka justifikuar dhunën brutale të policisë ndaj protestuesve të opozitës. Në një reagim skandaloz, ai ka fyer opozitën dhe qytetarët protestues duke dëshmuar se është frymëzuesi i sjelljes brutale të policisë ndaj qytetarëve. Rama nuk tha asnjë fjalë për hedhjet masive të gazit lotsjellës në kundërshtim me cdo protokoll apo shoqërimin e dhunshëm të fëmijëve në komisariate.
Syri tv
Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim skandaloz pas protestës masive të opozitës duke dëshmuar se është ai frymëzuesi i dhunës dhe brutalitetit policor ndaj qytetarëve. I tronditur nga masiviteti i protestës dhe nga fakti që mijëra qytetarë po kërkojnë largimin e tij për shkak të aferave të rënda korruptive, Rama ka shpërthyer në fyerje banale ndaj opozitës dhe qytetarëve. Ai i ka cilësuar protestuesit e opozitës, të cilët janë qytetarë të republikës dhe taksapagues të këtij shteti, si një lukuni të verbër.
Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!
Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër.
Rama ka akuzuar Partinë Demokratike për dhunë ndaj institucioneve, ndërkohë që ai është organizatori i protestave më të dhunshme në historinë e shtetit shqiptar. Në reagimin e tij Rama nuk ka përmendur asnjë fjalë për sjelljen e dhunshme të policisë, e cila në mënyrë jopropocionale dhe në shkelje të protokolleve, hodhi sasi masive gazi lotsjellës dhe uji me piper ndaj protestuesve, duke u shkaktuar problem shëndetësore shumë prej tyre. Po kështu shefi i qeverisë nuk tha asnjë fjalë për skandalin e radhës së policisë, e cila shoqëroi me forcë dhe dhunoi edhe të miturin Romeo Kora. Rama u uroi shërim punonjësve të policisë, ndërkohë që nga të dhënat e ardhura nga Trauma dhe QSUT, vetëm një polic ka marrë ndihmë mjekësore pas protestës dhe është larguar menjëherë nga spitali.
© SYRI.net