Gjykata e Posaçme ka marrë dy masa sigurie për Belinda Ballukun, pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit si zv. kryeministre dhe ministre dhe ndalim i daljes jashtë vendit.
Balluku është marrë rreth tri javë më parë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me aferën e tunelit të Llogarasë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është pezulluar nga detyra zv/kryeministres dhe ministres, pasi prokurori Dritan Prençi iu drejtua gjykatës së posaçme me caktimin e masës së sigurisë ndaj zyrtares së lartë.
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Erion Çela, i kërkuar nga prokurori, nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Burime bëjnë me dije se ndaj zv.kryeministres Balluku akuzat për shkelje të barazisë në tendera lidhen me çështjen e tunelit të Llogorasë dhe për lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.
Kujtojmë që Belinda Balluku një ditë më parë mori pjesë në seancën e prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2026, teksa tha se ajo ka besim të Drejtësia dhe se nuk do të adresojë kurrë sharje ndaj këtij gjykatësve dhe prokurorëve.
“Nuk do prononcohem kurrë për çështje nën hetim, pasi ato kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë, derisa e vërteta të marrë formë të prerë cilado qoftë ajo.
Unë si kolegët e PS mbështesim reformën në drejtësi dhe produktet e saj edhe kur prekemi personalisht, pasi ndryshe nga sa thoni e mendohet PS është një formacion politik serioz, i vetmi në Shqipëri, ku fjala e secilit dëgjohet dhe fjala e secilit ka peshë. Ajo reformë ka marrë mbështetjen e çdo socialisti. Ndaj në respekt të plotë të misionit të saj nuk kam asnjë koment”, tha Balluku në Kuvend.
© SYRI.net