Para pak ditësh, gazeta më e madhe franceze ‘Le Monde’ publikoi një reportazh të trishtë, ku theksonte se shumica e rinisë në qarkun e Kukësit duan të ikin drejt Anglisë.
Në këtë reportazh theksohej se asnjë nga masat e ndërmarra, qoftë edhe me ndihmën e taksapaguesve anglezë, nuk ka dhënë efekt për ndalimin e eksodit drejt këtij vendi.
Asnjë reagim nuk pati për këtë reportazh të trishtë.
Megjithatë sot, Edi Rama gjeti kohë t’i përgjigjej Ministres së Brendshme të Britanisë së Madhe, Shabana Mahmood, e cila deklaroi se dodëbohen rreth 700 familje shqiptare që jetojnë me paratë e taksapaguesve britanikë.
‘Lideri global’ i kujton ministres britanike se kanë të tjera sfida pas daljes nga BE (Brexit), në vend që të merren me çështjen e emigrimit, të cilën ai e ka frenuar.
Por ky është një mashtrim i madh, jo vetëm sepse e thotë gazeta Le Monde dhe e vërteton çdo sondazh në Shqipëri.
Por mbi të gjitha sepse agjencitë partnere kanë zbuluar se vërtet është ndërprerë një rrugë emigrimi drejt Anglisë, por janë hapur të tjera.
“Mjaft zhgënjyese të dëgjosh Ministren e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, të përmendë “rreth 700 familje shqiptare” që jetojnë në akomodim të financuar nga taksapaguesit pas kërkesave të dështuara për azil, si justifikim për rifillimin e kthimeve familjare.
Si mund ta përsërisë kaq dobët një Ministre e Brendshme laburiste retorikën e ekstremit të djathtë populist — dhe të veçojë 700 familje shqiptare, një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Britanisë post-Brexit — pikërisht në një moment kur Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme në Evropë për migracionin e paligjshëm?” shkruan Rama.
Kujtojmë se ai nuk është shprehur asnjëherë për faktin që mbi 1 milion shqiptarë janë larguar brenda 10 viteve vetëm në zonën Shengen.
Nëse i shton kësaj shifre numrin e të larguarve në vende të tjera, atëherë përmasat e eksodit janë biblike.
© SYRI.net