Berisha denoncon skandalin: Rama bleu vota duke përdorur pagesat për personat me aftësi ndryshe

13:27, 06/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka denoncuar një skandal elektoral të Edi Ramës, duke e akuzuar atë për përdorimin e pagesave për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre si një mjet për të blerë vota gjatë fushatës elektorale.

Sipas Berishës, Rama ka shpërndarë 40 euro për rreth 200 mijë persona, duke shfrytëzuar një vendim të marrë në dhjetor, por të zbatuar pikërisht në periudhën e fushatës, në një moment kur kjo mund të konsiderohej një shkelje e qartë e ligjit.

Berisha thekson se ky është një shembull tjetër i cinizmit ekstrem dhe pashpirtësisë së qeverisë aktuale, e cila përkundër kushteve të vështira ekonomike për shumicën e shqiptarëve, ka ndjekur praktika që përqendrohen në manipulimin e votës, në vend që të investohet në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe pensioneve.

Pjesë nga deklarata:

Por, pse unë u ndala te kjo?
Sepse krimi elektoral i Edi Ramës nuk ka të ndalur.
Ai ka përdorur pagesat për personat me aftësi ndryshe në kulmin e fushatës elektorale për të blerë vota.
Ka shpërndarë për 164 mijë persona me aftësi ndryshe, dhe për mijëra e mijëra kujdestarë të tyre që në total shkojnë rreth 200 mijë, ka shpërndarë si shpërblim  4 mijë lekë apo 40 euro.
Një vendim, të cilin e kanë marrë në dhjetor, por e kanë zbatuar pikërisht atëherë kur nuk mund të zbatohej, e kanë zbatuar në fushatën elektorale.
Solla këto shembuj për të ilustruar cinizmin ekstrem dhe pashpirtësinë e narkoqeverisë, e cila ndonëse i lë në kushte më të mjera, ju e patë, pensioni në Shqipëri është 60 përqind më i ulët se sa në vendin me pensionin më të ulët në Europë.
Dhe në vend se të ishte ndjekur politika e rritjes së pensioneve, e vendosjes së minimumit jetik, ndiqet praktika e shpërblimit për votë si për pensionistët, ashtu edhe për 200 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre.
Dënoj dhe njëherë me forcën më të madhe këtë farsë të shëmtuar zgjedhore dhe deklaroj se PD kurrë nuk do të njohë, nuk do ta pranojë.
Do bëjë gjithçka që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco