SYRI TV
Rrjeti i Bazelit i bën thirrje autoriteteve shqiptare që të testojnë mbetjet e dyshuara të rrezikshme, të cilat po kthehen mbrapsht për në Portin e Durrësit. Kërkesa u bë përmes një letre zyrtare drejtuar Ministrisë së Mjedisit, ku ndër të tjera Rrjeti i Bazelit ngre dyshime të arsyetueshme se kemi të bëjmë me një ‘trafik ilegal’ ndërkombëtar të mbetjeve toksike.
Rrjeti i Bazelit i ka dërguar një letër zyrtare Ministrisë së Mjedisit, këtë të mërkurë, lidhur me 102 kontejnerët me mbetjet toksike që kanë dalë nga Porti i Durrësit. Syri Tv disponon këtë letër, ku u bëhet thirrje autoriteteve shqiptare, që të testojnë mbetjet e dyshuara të rrezikshme, të cilat po kthehen mbrapsht për në Portin e Durrësit.
‘Është kritike për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisit të Shqipërisë, si dhe për sundimin e ligjit ndërkombëtar që kontejnerët të testohen për të përcaktuar nëse përmbajnë mbetje të rrezikshme, siç dyshohet në mënyrë që të ndërmerren veprimet e duhura. Jemi të shqetësuar se moszbatimi i një plani të mirëekzekutuar për marrjen e mostrave të mbetjeve të dyshuara do të çojë në teori konspirative, mungesën e transparencës dhe keqinformim që nuk do të ndihmojë askënd’,
Ndër të tjera, në letrën e Rrjetit të Bazelit drejtuar ministres Kumbaro nënvizohet se nëse kontejnerët përmbajnë materiale të rrezikshme, atëherë ato nuk mund të ishin dërguar në një vend tjetër pa pëlqimin me shkrim të vendit eksportues Shqipëria, në vendet tranzit të Italisë, Maltës, Marokut, Afrikës së Jugut dhe Singaporit, si dhe vendi importues Tajlanda. Kjo sipas tyre, ngre dyshime të arsyetueshme se kemi të bëjmë me një ‘trafik ilegal’ ndërkombëtar të mbetjeve toksike.
‘Asnjë pëlqim nuk është dhënë nga asnjëra prej këtyre vendeve dhe për këtë arsye nëse kontejnerët tregohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme, atëherë dërgesat ishin "trafik ilegal" sipas nenit 9 të Konventës së Bazelit. Trafiku i paligjshëm është shkelje penale. Më tej, nëse kontejnerët përmbajnë mbetje të rrezikshme në formë grimcash, kjo ngre një problem serioz lidhur me pyetjet se përse u lejuan të ekspozoheshin ndaj erës dhe shiut në port, duke pasur parasysh rreziqet e ndikimeve të rënda mjedisore dhe në shëndetin e njeriut’.
Rrjeti i Bazelit rekomandon që Shqipëria t'i kërkojë OLAF-it, të marrë përsipër si palë e tretë në këtë skandal, që të hetojë për këtë çështje, apo dhe ekspertë neutralë të OKB-së ose OJQ jashtë vendit, që munden të marrin përsipër rolin e menaxhimit të analizës së pavarur të mostrës së ndarë.
© SYRI.net