Raportet Shqipëri-Kosovë dhe paradoski me sloganin propagandistik 'Krenar për Shqipërinë'

Raportet Shqipëri-Kosovë dhe paradoski me sloganin propagandistik 'Krenar për Shqipërinë'

11:34, 10/09/2024
A+ Aa A-

Nga Besa Manaj

Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë konsiston në një marrëdhënie të rrënjosur thellësisht në histori dhe kulturë, e cila është mishëruar përmes gjuhës, fesë dhe përvojave të përbashkëta etnike, duke përfaqësuar një unitet të pandërprerë që ka përballuar sfida të shumta gjatë shekujve. Ky unitet është konsoliduar në momentet kyçe të historisë, veçanërisht gjatë luftës së Kosovës (1998-1999), kur të dy vendet bashkëpunuan në një akt madhor solidariteti dhe rezistence ndaj agresionit serb. Një shembull frymëzues i këtij akti është mikpritja e jashtëzakonshme e popullit të Kukësit ndaj mijëra refugjatëve të luftës, një gjest heroik që u vlerësua ndërkombëtarisht, duke u kurorëzuar me Çmimin Ndërkombëtar për Paqe të akorduar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2000. Ky moment ishte një manifestim i rrallë i solidaritetit kombëtar që sfidoi kufijtë gjeopolitikë dhe ndasitë historike brutale të imponuara nga regjimi i Enver Hoxhës, duke dëshmuar forcën e vërtetë të unitetit shqiptar.

Megjithatë, pavarësisht këtij momenti historik të fuqishëm, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë vazhdimisht të trazuara nga tensione, veçanërisht në sferat politike dhe diplomatike. 

Një nga burimet kryesore të këtyre përplasjeve është divergjenca e thellë në qëndrimet ndaj Serbisë dhe disa  iniciativa rajonale te dyshimta.

Konflikti i hapur midis Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, përfaqëson një ndarje të thellë politike që reflektohet në përfshirjen  e Ramës ne  nismën "Ballkani i Hapur" – një platformë që përjashton Kosovën dhe sfidon drejtpërdrejt procesin e Berlinit. Kjo ka ngritur dyshime të thella për qëndrimin e Shqipërisë ndaj interesave strategjike të kombit shqiptar, duke nxitur kritika të ashpra dhe duke përforcuar skepticizmin për orientimin e politikës së saj të jashtme.
Një tjetër pikë e rëndësishme përplasjeje është infrastruktura kritike që lidh të dy vendet, përfaqësuar nga "Rruga e Kombit." Vendosja e një takse të lartë mbi këtë arterie strategjike ka krijuar një klime të ngarkuar me mosbesim dhe ka penguar ndjeshëm zhvillimin e investimeve të përbashkëta në sektorë thelbësorë si energjia dhe tregtia. Kjo mungesë e vullnetit për të ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm ka jo vetem pasoja të rënda ekonomike por krijon perceptimin se ekziston një qëllim i fshehur për të ruajtur distancën midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Përplasjet verbale të vazhdueshme midis Ramës dhe Kurtit kanë imponuar thellë edhe opinionin publik, duke krijuar një krizë të dukshme besimi dhe një ndjenjë zhgënjimi mes shqiptarëve në të dyja anët e kufirit. 

Marrëdhënia e ngushtë e Ramës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, një figurë ende e ndërlidhur me të kaluarën e errët të Ballkanit, ka ngjallur dyshime të mëdha për sinqeritetin e Shqipërisë në mbështetjen ndaj Kosovës. Për një pjesë të madhe të shqiptarëve, si dhe për shumë aktorë ndërkombëtarë, veçanërisht brenda BE-së, është e pamundur të shihet Vuçiq-i jashtë kontekstit të të kaluarës së tij, dhe çdo përpjekje për afrim me të perceptohet si një tradhti ndaj historisë dhe dhimbjes që shqiptarët kanë përjetuar gjatë luftës.

Mungesa e koordinimit diplomatik midis dy vendeve në çështjet e rëndësishme ndërkombëtare është një tjetër aspekt shqetësues. Shqipëria, si anëtare e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, mban një përgjegjësi madhore në përkrahjen e përpjekjeve të Kosovës për njohje globale. Rastet e neglizhencës apo mungesa e prioritizimit të çështjeve kombëtare kanë krijuar një vakum diplomatik, duke dëmtuar perceptimin për një strategji të përbashkët dhe koherente në mbrojtjen e interesave kombëtare në forumet ndërkombëtare.

Këto mospërputhje të vazhdueshme në politikën e jashtme dhe qëndrimet e kundërta ndaj sfidave rajonale kanë prodhuar një krizë të thellë të identitetit kombëtar, duke zbehur ndjenjën e unitetit shqiptar. Në një klimë ku retorika për krenarinë kombëtare shpesh del si e zbrazët dhe e manipuluar, mungesa e veprimeve konkrete vetëm sa e përforcon perceptimin e ndarjes së interesave ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo distancë jo vetëm që dëmton imazhin e unitetit kombëtar, por ushqen një ndjenjë të thellë zhgënjimi, duke lënë përshtypjen e një Shqipërie që, në rastin më të mirë, shfaqet indiferente, dhe në rastin më të keq, moralisht e komprometuar.

Në këto rrethana, retorika për krenarinë kombëtare jo vetëm që humbet kuptimin e saj të vërtetë historik, por shndërrohet në një lojë fjalësh të zbrazëta, duke reflektuar një krizë të thellë identitare dhe mungesën e një angazhimi të sinqertë për një agjendë të përbashkët kombëtare dhe diplomatike.

Nga Besa Manaj - Artikull i shkruar në kuadër të “Laboratorit të Ideve”, Departamenti Brain Gain, Partia Demokratike

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco