Shqiptarët mbeten populli më i varfër i Europës sipas një renditjeje që Eurostat ka bërë bazuar në pagën minimale, në korrik të këtij viti.
Në fakt, paga minimale në Shqipëri nuk është më e ulta në Europë në vlerë absolute. Shuma u rrit me vendim qeverie dhe arriti në 400 euro. Ne kemi lënë pas në renditje dy vende si Moldavia që e ka pagën minimale 260 euro dhe Ukrainën që mbetet në luftë dhe ku pagesa minimale rezulton të jetë rreth 180 euro.
Grafiku më poshtë, tregon pikërisht këtë renditje në vlerë absolute të rrogave dhe ku Shqipëria rezulton të jetë e treta nga fundi.
Grafiku që rendit vendet europiane për nga rroga minimalePor edhe pse lëmë pas Moldavinë dhe Ukrainën, sërish shqiptarët konsiderohen populli më i varfër i Europës, sepse me paratë e tyre arrijnë të blejnë më pak se një qytetar që jeton në vendet e tjera europiane. Çmimet në Shqipëri janë më të larta dhe ajo që quhet “fuqi blerëse” tkurret akoma.
“Fuqia blerëse” është matur në korrik. Këtu rezultojmë të fundit në Europë. Grafiku më poshtë tregon pikërisht pafuqinë e shqiptarëve për të blerë si qytetarët e Bashkimit Europian. Nëse llogarisim edhe çmimet, moldavët dhe ukrainasit rezultojnë më të pasur se ne, edhe pse këta marrin më pak para në fund të muajit.
Me paratë që paguhen, shqiptarët mund të blejnë më pak, ndaj konsiderohen më të varfërit në EuropëStudimi që shpjegon varfërinë
Pak kohë më parë, eksperti i ekonomisë Ilir Ciko kreu një studim që kishte në fokus krahasimin e çmimeve. Ai mori shkas nga përvoja e shumë shqiptarëve që vërejnë shpesh se në marketet e vendeve të Bashkimit Europian të njëjtat mallra që konsumojnë në Shqipëri, janë me një çmim shumë më të lirë.
Ciko regjistroi çmimet e një produkti në një dyqan në Shqipëri dhe të të njëjtit produkt në një dyqan të të njëjtës kompani, në një nga vendet e Bashkimit Europian. Krahasimi që bëri është tronditës për të thënë më të paktën.
Në tabelën më poshtë që është pjesë e studimit të Cikos shihet se një pjesë e produkteve në Shqipëri shiten me çmim thuajse dyfish se në vendet e BE, ndërsa norma është 70 apo 80% më shtrenjtë. Shikoni se si në disa nga vendet e tjera çmimet rriten shumë më pak, kurse në Shqipëri na i shesin me një rritje të habitshme.
Diferenca në çmime për të njëjtin produkt,në të njëjtën kohë në Shqipëri dhe në një vend të BE“Çmimi mesatar i produkteve të shitura në tregun shqiptar nga tre kompani europiane është +79.7% më i lartë se çmimi mesatar i të njëjtave produkte të shitura në të njëjtën kohë dhe nga të njëjtat kompani në tregjet e BE-së” u shpreh më pas Ciko.
Si shpjegohet që i njëjti produkt në Shqipëri shitet më shtrenjtë? Përse në dyqanet e Bashkimit Europian për qytetarët atje që paguhen më shumë, çmimet janë më të ulta?
Shkaqet janë politike. Një kompani mund të mbajë çmime të larta vetëm nëse e kontrollon tregun dhe është e sigurtë se nuk do të dëmtohet nga konkurenca. Mungesa e konkurencës kuptohet se është garanci që vjen nga shtetarët e korruptuar dhe që çon më pas në shtim të varfërisë.
Fenomeni i diskriminimit që ndodh në Shqipëri, sipas studiuesit Ciko tregon një paradoks, krahasuar me tregun e Bashkimit Europian, edhe sepse euro ka pësuar rënie të ndjeshme dhe duhet të kishte ndikuar në uljen e çmimit të mallrave të importit. Por kjo nuk ka ndodhur.
“Kultura e tolerancës dhe mungesa e rolit të shtetit ndaj kompanive të mëdha që ushtrojnë aktivitet në pozicione dominuese në treg” është sipas tij një nga shkaqet e këtij fenomeni./Lapsi.al
© SYRI.net