SYRI TV/ Ndërtoi pa leje, Salillari merr tender 3.7 mln euro

20:33, 04/09/2024
A+ Aa A-

Kompania “Salillari”, një prej ndërtuesve pa leje në qendër të Tiranës dhe në ndjekje penale në Prokurori, vijon të jetë i preferuari i qeverisë për thithjen e tenderave dhe fondeve publike.

Pëllumb Salillari ka përfituar një tender me vlerë 3. 7 milionë Euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për ndërtimin e një parku në zonën e Petrelës.

tenderi janë skualifikuar 6 kompani me ofertë më të ulët dhe fitues u shpall Salillari, për të cilën kryeministri EdI Rama u tha shqiptarëve se e ka sanksionuar për ndërtimet pa leje.

SYRI TV

Thuajse askush nuk e besoi vendimin që mori në Tetor të vitit 2022 Këshilli i Rregullimit të Territorit, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama për konfiskimin e kateve pa leje, të ndërtuara nga kompania “Salillari” në zonën e Liqenit të Thatë, në Tiranë.

Spektikët kishin shumë të drejtë në dyshimin e tyre. Pronari i kompanisë, Pëllumb Salillari, njihet si një prej biznesmenëve që renditet në top-listën e përfituesve të tenderave publikë.

Tashmë kompania “Salillari” pret të përballet në gjyq me Prokurorinë e Tiranës, e cila e akuzon për ndërtim pa leje në ndërtesën shumë-katëshe të Liqenit të Thatë.

Megjithatë, pozita jo e favorshme penale, nuk e ka penguar aspak shoqërinë ndërtimore të vijojë të fitojë tendera miliona euro.Në mes të kësaj jave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka shpallur fitues kompaninë e Salillarit në procedurën me objekt “Ndërtimi i Parkut Tematik-Tirana Garden”.

Projekti synon ndërtimin e një parku-galeri në zonën e Petrelës, në Tiranë. Ky tender ishte hapur në mes të Korrikut dhe vlera limit e vendosur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ishte 370 milionë lekë të reja ose 3.7 milionë euro.Dokumentat zyrtare tregojnë se në garë kanë marrë pjesë 12 konkurentë.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, institucioni i menaxhuar nga Dritan Agolli ka skualifikuar 6 kompani që kishin dhënë ofertë më të ulët, duke shpallur fitues Salillarin.Në projekte të rëndësishme infrastrukture dhe me kosto të lartë financiare, ligji për Prokurimin Publik kërkon që kompanitë pjesëmarrëse në garë të jenë me integritet.

Kompania “Salillari” si person juridik, por edhe përfaqësues të saj, aktualisht kanë statusin e të pandehurit në një proces penal. Prokuroria e Tiranë ka mbyllur hetimet në shkurt të këtij viti dhe ka dorëzuar në Gjykatë dosjen për ndërtim pa leje për shoqërinë.

Deri më tani, gjykata e Tiranës ende nuk ka nisur procesin gjyqësor, ndërkohë që kompania vijon të ketë statusin e të pandehurit.

Është e paqartë nëse Salillari ka paraqitur pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit vërtetim nga prokuroria, i cili duhet të ishte i pastër, në mënyrë që të dëshmonte se gëzon integritet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco