Studentët dhe qytetarët kanë arritur të rrëzojnë kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina, të cilën e akuzonin si të korruptuar dhe autokrate.
Por ata janë shprehur se nuk duan një qeveri të përkohshme, të drejtuar nga ushtria.
Studentët kanë kërkuar krijimin e një qeverie të përkohshme, e cila do ketë si këshilltar kryesor nobelistin Muhammed Yunus.
Fituesi i çmimit Nobel shihej prej kohësh nga Sheikh Hasina si një rival politik.
84-vjeçari njihet ndërkombëtarisht si ‘bankieri i të varfërve’ dhe është vlerësuar për faktin se ka nxjerrë miliona njerëz nga varfëria me skemën e mikrokredive.
Për këtë arsye, ai pati fituar çmimin Nobel për Paqen.
Yunus është i njohur edhe në Shqipëri, pasi erdhi këtu me ftesën e Sali Berishës kur ai ishte kryeministër.
“Me profesor Muhammad Yunus, babai i mikrokredisë, nobelisti që beson dhe po provon se varfëria mund të zhduket me politika të përshtatshme të provuara në dhjetëra vende në të katër anët planetit. Ne nisem sot së bashku me të betejën tonë vendimtare në ç'rrënjosjen e varfërisë bazuar në një sistem mikrokredie, biznesi social, trajnimi profesional që do të punësojë dhe mëkëmbë dhjetëra mijëra të varfër,” shprehej Berisha pas takimit me Yunus në janar të vitit 2013.
© SYRI.net