Nga Klodian Tomorri
Supozoni një moment sikur lojtarët e një ekipi futbolli të kenë të drejtën të refuzojnë ardhjen e lojtarëve të rinj në ekip.
Ajo që do të ndodhë është se ata nuk do të pranojnë kurrë ardhjen e futbollistëve më të mirë, që mund t'u zënë vendin në formacion. Rrjedhimisht skuadra do përkeqësohet gjithmonë e me shumë.
Supozoni sikur drejtimi ekzekutiv i Bankës së Shqipërisë të ketë të drejtën të refuzojë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës që emëron Parlamenti. Supozoni sikur ministrat në qeveri të kenë të drejtën të refuzojnë emërimin e ministrave të rinj.
Kjo është një çmenduri. Por prokurori që refuzua nga Komisioni i Posaçëm i SPAK është fiks ky rast. Pra, ti ke kaluar vetingun ne KLP, ke marrë miratimin e KLP për të qenë prokuror i SPAK, por nuk të pranon vetë SPAK-u.
Kjo është një skemë shumë e mbrapshtë.
E para, është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës. Një organ më i ulët në hierarki nuk mund të rrëzojë vendimmarrjen e një organi më të lartë Kushtetues.
E dyta, është rrëzim i parimit të përbotshëm check and balance. Institucionet formohen dhe kontrollohen nga jashtë- brenda. Jo nga brenda-jashtë.
E treta, kjo skemë rrezikon ta shndërrojë SPAK në një bunker, ku ata që janë brenda, krijojnë klanin e tyre, ndajnë pushtet me njëri-tjetrin dhe nuk pranojnë asnjë nga jashtë. Ose pranojnë ata që duan vetë.
Nuk e di nëse Komisioni i Posaçëm është parashikuar në ligj. Por nëse po, ligji është i mbrapshtë. Nuk ka ekip në bote, ku merkaton e bëjnë lojtaret. Merkaton e ekipit e bën trajneri me drejtuesit teknikë, pra një organ më i lartë se lojtarët.
Dhe kjo është totalisht e rrezikshme. Vetë prokurorët e SPAK duhet të kërkojnë që kjo të rrëzohet.
© SYRI.net