SPAK nuk heton Arben Rakipin për skandalin e provimit te Magjistratura

SPAK nuk heton Arben Rakipin për skandalin e provimit te Magjistratura

09:25, 21/06/2024
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme ka refuzuar të marrë nën hetim kreun e Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi. Ndonëse ky i fundit shkeli hapur ligjin me provimin e fundit të pranimeve në Shkollën e Magjistraturës, SPAK ka vendosur që padinë e bërë ndaj tij ta kalojë te Prokuroria e Tiranës.

A ka kallëzim në SPAK ndaj Shkollës së Magjistraturës? Kësaj pyetjeje Prokuroria e Posaçme i është përgjigjur duke konfirmuar që është dorëzuar një i tillë duke ‘amnistuar’ në këtë mënyrë Arben Rakipin.

SPAK bën me dije se ka konkluduar se nuk ka gjetur të dhëna dhe ndaj ia ka përcjellë për kompetencë Prokurorisë së Tiranës.

 ‘Pas verifikimeve të kryera në Prokurorinë e Posaçme është depozituar kallëzimi penal i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion kundër shtetasit Arben Rakipi, me detyrë Drejtor i Shkollës së Magjistraturës. Pas kryerjes së verifikimeve në lidhje me këtë kallëzim penal është vendosur të dërgohet për kompetencë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 02.05.2024’, njofton SPAK në reagimin për Top Channel.

Pas skandalit, padia ndaj Arben Rakipit

Pas skandalit me provimin, Rakipi u padit penalisht, pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën me provimin në fjalë. Padia është bërë nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion, e cila e akuzon për korrupsion, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

‘Nga i kallëzuari Arben Rakipi si drejtues i Shkollës së Magjistraturës është ndryshuar tre herë lista duke përfshirë 52 persona shtesë. Ndryshimi i listës fillestare të të kualifikuarve është kryer 2 herë nga vetë Shkolla e Magjistraturës në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të Shkollës dhe në mungesë totale transparence, pasi të dy ndryshimet e listës fillestare apo ‘dy korrigjimet e reja’ nuk janë bërë në prani të pjesëmarrësve. Konkretisht, Rregullorja e Brendshme e Shkollës së Magjistraturës, në Aneksin 2 të saj (Procedura e organizimit të provimit për seleksionimin e kandidatëve për në Shkollën e Magjistraturës) parashikon se provimi i fazës së parë: ‘Pas dorëzimit të fletëve të testimit, do të bëhet skanimi i çdo flete dhe vlerësimi elektronik (scan tron) në prani të pjesëmarrësve… Aplikimi: Provimi do të zhvillohet në të njëjtën sallë dhe do të vlerësohet elektronikisht po aty, në prani të pjesëmarrësve….’ Po ashtu, dy korrigjimet e reja janë bërë po në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të Shkollës së Magjistraturës edhe për faktin se kjo rregullore nuk ka asnjë parashikim për ‘korrigjim për gabim të pajisjes scan tron’’, theksohet në padi.

Veprimet e dyshimta nga i kallëzuari Arben Rakipi, i cili nuk ka dhënë asnjë shpjegim zyrtar se përse 2 korrigjimet e reja për të njëjtin provim nuk janë bërë në prani të konkurrentëve, kanë filluar edhe përpara konkurrimit kur nga ana e Shkollës së Magjistraturës çuditërisht është hequr mesatarja si kriter për konkurrimin, në një kohë që kuotat për pranimet në Shkollën e Magjistraturës janë 65, më të ulta në krahasim me vitet e kaluara. Për të gjitha këto veprimeve të kundërligjshme, vijohet më tej, lindin dyshime për veprime korruptive apo në shpërdorim të detyrës të kryera nga i kallëzuari Arben Rakipi, dhe kanë tërhequr vëmendjen edhe të ndërkombëtarëve të cilët kanë mbajtur raportet përkatëse në lidhje me këtë fakt.

‘Përfundimisht, bazuar në nenin 280-283 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë fillimin e hetimeve për të kallëzuarin Arben Rakipi për veprën penale të korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve parashikuar nga Kodi Penal, si dhe për veprime të tjera të paligjshme të parashikuara nga legjislacioni penal, të cilat do të konstatohen nga një hetim i plotë dhe i gjithanshëm nga prokuroria’, përfundon padia.

Një shkelje, në dukej e vogël, e Rregullore së Pranimit për në Shkollën e Magjistraturës, ka ngritur dyshime të forta për manipulimin nga ana e drejtorit të këtij institucionit, Arben Rakipi, të listës paraprake të fituesve për gjyqtarët dhe prokurorët e së ardhmes.

Të dhënat e publikuara deri më tani, sidomos reagimi i një grupi të gjerë konkurentësh për në Shkollën e Magjistraturës, japin përshtypjen se veprimet Brenda Shkollës së Magjistraturës kanë një sfond korruptiv, me personazh kryesor Arben Rakipin.

Deri më tani, nga SPAK-u nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar për këtë çështje, pavarësisht se kreu i këtij institucioni, Altin Dumani, ka deklaruar më shumë se njëherë që struktura që ai drejton është shumë e ndjeshme ndaj raportimeve për raste të dyshuara abuzivizmi dhe shkeljesh ligjore në radhët e zyrtarëve të rëndësishëm shtetërorë.

Konkursi i Pranimit në Shkollën e Magjistraturës zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë zhvillohet testi i njohurive të përgjithshme, me pyetje që ndërtohen nga degë të ndryshme të fushës së të drejtës.

Aplikantët, pasi u përgjigjen pyetjeve të testit, duhet të vendosin shkronjat e përgjigjeve të përzgjedhura prej tyre në një fletë të parë. Kjo fletë lexohet nga një pajisje elektronike, ‘Scantron’, e cila nxjerr përgjigjet në një kohë shumë të shpejtë.

Aplikantët e kualifikuar në këtë fazë, përfshihen në fazën e dytë, ku duhet të plotësojnë teza për raste (kazuse) konkrete.

Faza e parë e provimit të pranimit për studentët e Magjistraturës që do të pranohen për vitin akademik 2014-2015, u shoqërua me një mënyrë skandaloze të menaxhimit nga titullari i Shkollës, Rakipi.

Rregullorja e Shkollës së Magjistraturës, në Aneksin 2, ‘Procedura e organizimit të provimit për seleksionimin e kandidatëve për në Shkollën e Magjistraturës’, parashikon se provimi i fazës së parë ‘…do të zhvillohet në të njëjtën sallë dhe do të vlerësohet elektronikisht po aty, në prani të pjesëmarrësve’.

Rregullorja ka parashikuar vlerësimin elektronik në prani të pjesëmarrësve (kandidatëve) për të realizuar një nga qëllimet kryesore, transparencën maksimale në përzgjedhjen e kandidatëve fitues.

Ky parashikim i Rregullores u zbatua fillimisht edhe për testin e zhvilluar në 22 Prill të këtij viti. Në përfundim të vlerësimit, u shpallën fitues 79 kandidatë, të cilët do të vijojnë garën për 20 vende vakante për profilin ‘gjyqtar’; 25 vende vakante për profilin ‘prokuror’ dhe 15 vende vakante për profilin ‘ndihmës ligjorë’, pra, për një total prej 65 studentësh të rinj.

Por, menjëherë pas mbylljes së procedurës së vlerësimit, aplikantët mësojnë se lista e fituesve ishte ndryshuar, duke iu ishin shtuar edhe 42 emra të tjerë, duke bërë që numri i kandidatëve që kalojnë në fazën e dytë të arrijë në 121 emra.

Ky ndryshim (zgjerim) liste është bërë nga vetë Shkolla e Magjistraturës, në mungesë totale transparence dhe në kundërshtim me Rregulloren e institucionit.

Aplikantët që ishin shpallur fitues në vlerësimin transparent, reaguan fuqishëm, duke i dërguar Shkollës së Magjistraturës një peticion, në të cilin kërkojnë anulimin e të gjithë procedurës, pasi dyshojnë se ka pasur ndërhyrje dhe favorizim të emrave të veçantë.

Ky peticion u injorua tërësisht nga Bordi i Shkollës së Magjistraturës dhe drejtori i saj, Arben Rakipi.

Ky i fundit, në një prononcim për Top Channel, e justifikoi ndryshimin e listës me një ‘gabim teknik’.

 ‘Ne kemi patur shumë ankesa dhe do vlerësohen një më një….Pajisja Scantron shpalli 79 fitues, ku shuma e pikëve është një qind pikë dhe Scantroni, gabimisht, ka llogaritur listat, duke u bazuar në 96 pikë. Nuk shoh arsye pse provimi të përsëritet, nuk bëmë gjë tjetër veçse korrigjuam gabimin e parë që kishte lënë jashtë garës të tjerët. Ankesat po i shqyrtojmë’, deklaroi Rakipi.

Qëndrimi i Arben Rakipit duket si një ‘lojë fjalësh’, me qëllim për të mbyllur njëherë e përgjithnjë skandalin që e organizoi me vetëdijen e tij të plotë.

Rakipi deklaroi se ‘u konstatua gabim në leximin e pajisjes Scantron dhe u korrigjua’.

 ‘Boldnews.al’ konsultoi Rregulloren e plotë të Shkollës së Magjistraturës dhe nuk u gjet asnjë parashikim për ‘korrigjim për gabim të pajisjes’. Kjo do të thotë që Rakipi dhe kolegët e tij në Shkollën e Magjistraturës, kanë ndërmarrë një veprim që nuk parashikohet.

Drejtori Rakipi nuk ka dha asnjë sqarim se përse ky ‘korrigjim gabimi që erdhi prej pajisjes elektronike’ nuk u realizua në transparencë dhe në prani të aplikantëve, për të shmangur çdo dyshim dhe keqkuptim.

Gjithashtu, Arben Rakipi deklaroi se ‘ka pasur ankesa, të cilat do të shqyrtohen një për një’. Edhe ky qëndrim është, më së paku, një abuzim me kandidatët që u shpallën fitues në testin e parë dhe transparent.

Rregullorja e Shkollës parashikon që kandidatët mund të ankimojnë rezultatin e tyre. Por, në asnjë pikë të Rregullores nuk parashikohet e drejta që një kandidat të kundërshtojë përfshirjen në listën e fituesve paraprakë të një emri tjetër.

Kjo do të thotë që, edhe procedura e ankimit individual nuk do të mund të sqarojë dyshimet për shkelje ligjore në procesin jo-transparent të zgjerimit të listës së fituesve.

Për më tepër, Arben Rakipi ka ndërmarrë të gjithë iniciativat për të shuar këtë skandal, për të cilën janë ngritur dyshime me prapavijë korruptive.

Ndërkohë që kandidatët dërguar peticion për anulimin e testimit të fazës së parë, Shkolla e Magjistraturës vendosi zhvillimin e fazës së dytë në 24 Prill 2024, ku, natyrisht, do të përfshihen edhe ata 42 emra që u shtuan në ‘errësirë të plotë’ në listën e fituesve paraprakë.

E gjithë ecuria e këtij skandali krijon dyshimet për shkelje ligjore në procedurën e pranimit të Shkollës së Magjistraturës. Tashmë, mbetet për t’u parë nëse Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) do të vlerësojë nisjen e një hetimi penal ndaj Arben Rakipit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco