Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Konventa e Republikanëve, çfarë solli? I ftuar: Enri Ceno

Anëtarët KLGJ e KLP/ Skualifikimet e Gjonçajt vënë në dyshim procesin

Anëtarët KLGJ e KLP/ Skualifikimet e Gjonçajt vënë në dyshim procesin

09:15, 21/06/2024
A+ Aa A-

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj ka skualifikuar pothuaj të gjithë kandidatët nga radhët e shoqëricë civile për një vend vakant në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe një vend në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke vënë në pikëpyetje procesin e mëtejshëm të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj.

BIRN

Raporti i Gjonçajt, i publikuar të enjten nga Kuvendi ka kualifikuar vetëm dy emra për 2 vendet vakante, duke bërë që për KLGJ-në të ketë dy kandidatë Erjon Fejzulla dhe Violanda Theodhori, ndërsa për KLP në garë është vetëm Fejzulla.

Lista që ishte dorëzuar Kuvendit në prill nga Avokati i Popullit përbante 6 emra gjithsej, që kishin kaluar vlerësimin paraprak nga Komisioni Ad Hoc i shoqërisë civile.

Në garë për KLP ishin Erion Fejzulla, Altin Hazizaj, Juelda Lamçe,  Lefterie Lleshi, Altin Shegani ndërsa listës së KLGJ-së, e cila është e njëjtë, i shtohet edhe Violanda Theodhori.

Gjonçaj ka vendosur të skualifikojë shumicën e kandidatëve me argumentin se nuk plotësojnë kriteret ligjore për të qenë kandidatë, kryesisht pasi nuk vërtetojnë dot që organizatat ku punojnë kanë qenë aktive në fushën e të drejtave të njeriut.

Hazizaj është skualifikuar për shkak të një dënimi penal të mëparshëm dhe për faktin që në një procedurë konkurrimi në vitin 2017-2018, kandidati nuk e ka deklaruar këtë dënim në formularin e dekriminalizimit.

Ndërsa kandidatët Shegani, Lamçe dhe Lleshi janë skualifikuar pasi nuk kanë dërguar në Kuvend dokumente që provojnë se organizatat ku ata bënin pjesë të ishin aktive me projekte në fushën e të drejtave të njeriut apo sistemit të drejtësisë, ose të ishin tatimpaguese të rregullta.

Kjo listë e ngushtuar vetëm në 2 emra për dy këshillat nuk i lë mundësi përzgjedhjeje Nënkomisionit të Posaçëm Parlamentar të ngritur me këtë qëllim dhe e bën të pakuptimtë hedhjen e shortit mes kandidatëve.

Gjithsesi, ky organ e ka të drejtën për për të futur në listë dhe emrat e skualifikuar nga Gjonçaj nëse arrihet konsensusi politik mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës, ose mund të vendosë që procesi për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të nisë nga fillimi duke shpallur një thirrje të re për interes.

Raporti i Gjonçajt u dorëzua gati 3 muaj me vonesë edhe pse Kushtetuta parashikon 10 ditë afat për verifikimin e listës. Por, në raport, ai njofton se ka marrë një vendim për pezullimin e këtij afati për të pritur përgjigjet nga institucionet në lidhje me verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve.

Nënkomisioni është aktualisht në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj nga radhët e avokatisë për 2 vende vakante në secilin prej këshillave, proces që po kryhet jashtë afateve të parashikuara në ligj.  Lista e parë me 4 emra që i shkoi Kuvendit u zgjodh me short.

Edhe në listën e kandidatëve nga avokatia Gjonçaj skualifikoi një pjesë të tyre, duke u kritikuar nga opozita për tejkalim të kompetencave të tij ligjore si dhe për ndikim politikisht nga mazhoranca në punën e tij. Gjonçaj u përgjigj se kishte zbatuar të drejtat që i njeh Kushtetuta në verifikimin e kandidatëve.

Mandati i 6 anëtarëve të këshillave ka përfunduar që në 31 dhjetor 2023, por procesi i përzgjedhjes së zëvendësuesve, edhe pse nisi në kohë nuk arriti të mbyllej sipas afateve për shkak të proceseve gjyqësore me të cilat u përballën komisionet përzgjedhëse të ngritura nga Avokati i Popullit dhe vonesës në verifikimin e tyre nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco