SPAK nuk heton Arben Rakipin për skandalin e provimit te Magjistratura

SPAK nuk heton Arben Rakipin për skandalin e provimit te Magjistratura

21:45, 20/06/2024
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme ka refuzuar të marrë nën hetim kreun e Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi. Ndonëse ky i fundit shkeli hapur ligjin me provimin e fundit të pranimeve në Shkollën e Magjistraturës, SPAK ka vendosur që padinë e bërë ndaj tij ta kalojë te Prokuroria e Tiranës.

A ka kallëzim në SPAK ndaj Shkollës së Magjistraturës? Kësaj pyetjeje Prokuroria e Posaçme i është përgjigjur duke konfirmuar që është dorëzuar një i tillë duke “amnistuar” në këtë mënyrë Arben Rakipin.

SPAK bën me dije se ka konkluduar se nuk ka gjetur të dhëna dhe ndaj ia ka përcjellë për kompetencë Prokurorisë së Tiranës.

“Pas verifikimeve të kryera në Prokurorinë e Posaçme është depozituar kallëzimi penal i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion kundër shtetasit Arben Rakipi, me detyrë Drejtor i Shkollës së Magjistraturës. Pas kryerjes së verifikimeve në lidhje me këtë kallëzim penal është vendosur të dërgohet për kompetencë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 02.05.2024”, njofton SPAK në reagimin për Top Channel.

Pas skandalit, padia ndaj Arben Rakipit

Pas skandalit me provimin, Rakipi u padit penalisht, pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën me provimin në fjalë. Padia është bërë nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion, e cila e akuzon për korrupsion, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

 “Nga i kallëzuari Arben Rakipi si drejtues i Shkollës së Magjistraturës është ndryshuar tre herë lista duke përfshirë 52 persona shtesë. Ndryshimi i listës fillestare të të kualifikuarve është kryer 2 herë nga vetë Shkolla e Magjistraturës në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të Shkollës dhe në mungesë totale transparence, pasi të dy ndryshimet e listës fillestare apo “dy korrigjimet e reja” nuk janë bërë në prani të pjesëmarrësve. Konkretisht, Rregullorja e Brendshme e Shkollës së Magjistraturës, në Aneksin 2 të saj (Procedura e organizimit të provimit për seleksionimin e kandidatëve për në Shkollën e Magjistraturës) parashikon se provimi i fazës së parë: “Pas dorëzimit të fletëve të testimit, do të bëhet skanimi i çdo flete dhe vlerësimi elektronik (scan tron) në prani të pjesëmarrësve… Aplikimi: Provimi do të zhvillohet në të njëjtën sallë dhe do të vlerësohet elektronikisht po aty, në prani të pjesëmarrësve….” Po ashtu, dy korrigjimet e reja janë bërë po në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të Shkollës së Magjistraturës edhe për faktin se kjo rregullore nuk ka asnjë parashikim për “korrigjim për gabim të pajisjes scan tron””, theksohet në padi.

Veprimet e dyshimta nga i kallëzuari Arben Rakipi, i cili nuk ka dhënë asnjë shpjegim zyrtar se përse 2 korrigjimet e reja për të njëjtin provim nuk janë bërë në prani të konkurrentëve, kanë filluar edhe përpara konkurrimit kur nga ana e Shkollës së Magjistraturës çuditërisht është hequr mesatarja si kriter për konkurrimin, në një kohë që kuotat për pranimet në Shkollën e Magjistraturës janë 65, më të ulta në krahasim me vitet e kaluara. Për të gjitha këto veprimeve të kundërligjshme, vijohet më tej, lindin dyshime për veprime korruptive apo në shpërdorim të detyrës të kryera nga i kallëzuari Arben Rakipi, dhe kanë tërhequr vëmendjen edhe të ndërkombëtarëve të cilët kanë mbajtur raportet përkatëse në lidhje me këtë fakt.

“Përfundimisht, bazuar në nenin 280-283 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë fillimin e hetimeve për të kallëzuarin Arben Rakipi për veprën penale të korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve parashikuar nga Kodi Penal, si dhe për veprime të tjera të paligjshme të parashikuara nga legjislacioni penal, të cilat do të konstatohen nga një hetim i plotë dhe i gjithanshëm nga prokuroria”, përfundon padia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco