Emisari i BE në Prishtinë, Lajçak: Jam pro heqjes së masave, për hapjen e urës duhet të flasim

Emisari i BE në Prishtinë, Lajçak: Jam pro heqjes së masave, për hapjen e urës duhet të flasim

08:22, 19/06/2024
A+ Aa A-

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirolav Lajçak qëndroi pasditen e së martës në Prishtinë ku u takua vetëm me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Ai tha se erdhi për të shtyrë përpara zbatimin e marrëveshjeve dhe për të diskutuar për përfitimet që do të ketë Kosova me planin e rritjes, duke qenë se Prishtina kushtëzohet edhe nga rezultatet e dialogut.

Megjithatë, Lajçak u pyet për raportin e përfaqësuesit të politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell, për heqjen ose jo të masave, por ai nuk dha shumë detaje duke thënë se më shumë do të kuptohet gjatë së mërkurës.

“Qëndrimin tim për masat e kam bërë të qartë dhe publik që në shtator, kur rekomandova që masat të hiqen pas Banjskës si gjest solidariteti nga Bashkimi Evropian, ua kam përsëritur disa herë shteteve anëtare. Por siç thashë nuk jam pjesë e këtij procesi. Këtë e vendosin shtetet anëtare, por qëndrimi im personal ka qenë se masat duhej të hiqeshin si gjest solidaritet”, tha i dërguari.

Lajçaku pyet edhe për hapjen e urës mbi lumin Ibër që ndan Mitrovicën e jugut me atë të veriut.

“Çështja e urës është çështje e dy marrëveshjeve të dialogut, e vitit 2015 dhe 2016. Qëndrimi i Bashkimit Evropian ka qenë që ura duhet të jetë e hapur, por duhet bërë në atë mënyrë që të mos përshkallëzojë situatën në terren dhe prandaj në mënyrë ideale duhet të diskutohet me njerëzit e prekur. Unë u ofrova ta organizoj atë diskutim në kuadër të dialogut, në mënyrë që të bëhet në frymën e atmosferës së mirë dhe marrëdhënieve të mira”, shtoi ai.

Lajçak nuk u takua me presidenten Vjosa Osmani për shkak të agjendës ndërsa nuk u prit as nga kryeministri Albin Kurti, i cili nuk ishte në Prishtinë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco