SYRI TV/ SPAK nis hetimin për ministren Manastirliu mbi tenderat dhe fondet e COVID-19

14:13, 18/06/2024
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme ka nisur hetim për Ogerta Manastirliun për kohën ku ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë, në lidhje me tenderat dhe menaxhimin fondeve për COVID-19. Pas kallëzimit të deputetes së PD, Albana Vokshi, SPAK ka regjistruar procedimin ndaj Manastirliut. Në kallëzim, Vokshi e akuzon ish-ministren e Shëndetësisë për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderat që cilësoheshin sekret.

Nga SYRI TV

SPAK nis hetimin për ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliun, për keqmenaxhimin dhe abuzimin me fondet për Covid-19 kur Manastirliu drejtonte shëndetësinë.

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal ndaj ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu, lidhur me një kallëzim të bërë nga deputetja demokrate Albana Vokshi.

Procedimi penal mban numrin 81 i vitit 2024, për shpërdorim detyre ndërsa kallëzimi është bërë në vitin 2020. Në kallëzim, pretendohet se gjatë pandemisë janë bërë tendera sekret nga Ministria e Shëndetësisë që drejtohej nga Ogerta Manastirliu.

Burime pranë organit të akuzës thonë se për këtë çështje janë duke u kryer veprime hetimore, ndërkohë që muaj më parë ministrja dha sqarime për disa orë në SPAK.

Ndërkohë, disa javë më parë, Vokshi ka bërë një kallëzim shtesë ndaj Manastirliut, duke shtuar prova për tendera.

Konkretisht, bëhet fjalë për disa shkelje ligjore si "Shpërdorimi i detyrës", "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", kryer ne bashkëpunim, me dyshimet se ministrja, por edhe shtetas të tjerë, mund të kenë abuzuat me të ashtuquajturit "tendera sekrete" të prokuruar në mënyre abuzive gjatë periudhës së pandemisë.

“Përmes dy Vendimeve të Këshillit të Ministrave, konkretisht: VKM nr. 203, datë 26.02.2020 "Për procedurat që përdoren për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësore të shtetit' dhe ndryshimeve të bëra me VKM nr. 242 date 22.03.2020 "Për disa shtesa në vendimin nr 203", Këshilli i Ministrave i barazon procedurat dhe kontraktimet për shkak te Covid-19 si kontraktime sekrete. Kjo VKM është në kundërshtim me Kushtetutën”, thuhet në kallëzim.

Po ashtu, neni 6 i ligjit të Prokurimit Publik (ku është mbështetur Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e kësaj VKM) nuk autorizon nxjerrjen e një Akti Normativ të Veçantë për kontratat sekrete, kontratat që kërkojnë masa të veçanta sigurie dhe kontratat që diktohen nga interesa thelbësore të shtetit, thuhet më tej nga pala kallëzuese.

“Abuzim duhet të konsiderohet edhe fakti se VKM nr. 203 nuk ka përcaktuar përkufizimin e gjendjes, rrethanave, apo rasteve kur kemi të bëjmë me "interesa thelbësore të shtetit", por këto rrethana i ka lënë rast pas rasti në vlerësim të autoriteteve kontraktore.

Pra e thënë shkurt, kushtet kur termi "interesa thelbësore të shtetit" nuk ka gjetur një rregullim ligjor, ngelet një situate abstrakte e pa përkufizuar dhe në vlerësimin subjektiv të çdo autoriteti duke rritur riskun për arbitraritet”.

VKM-të e sipërcituara sipas Vokshit, krijojnë situata ku klient përzgjidhet pa publikim dhe thirrje për shprehje interesi, çka bën të pamundur identifikimin dhe kërkimin për operator efiçent.

Po ashtu, me propozim të Manastirliut dhe miratim të kryeministrit Edi Rama, u arrit deri aty sa u shpall në kundërshtim me ligjin si "sekret shtetëror" edhe tenderi për blerjen e letrës higjenike dhe 9 tendera të tjera që nuk kishin asnjë arsye serioze bindëse për të qenë "sekret", në shkelje flagrante me ligjin e prokurimeve në fuqi, apo aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco