Baçi: Qeveria teknike nuk presupozon që kryeministër të jetë ai që është tani

Baçi: Qeveria teknike nuk presupozon që kryeministër të jetë ai që është tani

09:26, 18/06/2024
A+ Aa A-

Deputeti demokrat Luan Baçi gjykon se qeveria teknike për përgatitjen e zgjedhjeve të vitit 2025 në Shqipëri nuk mund te jetë kurrsesi si ajo që u krijua në vitin 2017, me ministrat që ish-kryetari i PD Lulzim Basha i ofroi Kryeministrit socialist Edi Rama. Sipas Baçit, në radhë të parë, Qeveria teknike nuk presupozon që Kryeministër të qendrojë ai që është aktualisht në post.

Z. Baçi ishte i ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV dhe lidhur me idenë e qeverisë teknike, që synohet nga opozita, u shpreh:

“Së pari, më lejoni të them se nuk mund të ketë krahasueshmëri me qeverinë  e vitit 2017. Qeveria që u krijua në vitin 2017 nuk ishte as qeveri teknike, as qeveri kujdestare. Ishte një qeveri e Edi Ramës, madje më e fuqishme se ajo që ishte më parë.

Do të ishte më mirë që të kishte atë qeveri dhe të vazhdonte, sesa i dhamë justifikimin dhe legjitimitetin, zgjedhjeve të Ramës,  i cili i kishte parapërgatitur zgjedhjet, për arsye se duke qenë Rama kryeministër, e vuri disa ministra nga Partia Demokratike, që ia afroi Basha, ministra që ishin në urdhrat e Ramës e nuk kishin asnjë kompetencë, thjesht u bënë një fasadë për qeverinë e Ramës dhe zgjedhjet që u zhvilluan në atë kohë. Parë në këtë këndvështrim unë do të preferoja më mirë me Ramën dhe ministrat e Ramës sesa me një qeveri të tillë.

Qeveria teknike nuk presupozon që Kryeministri të jetë ai që ishte. Qeveria teknike nuk presupozon  që të merret me qeverisjen e vendit, po për përgatitjen e zgjedhjeve për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kabineti qeveritar duhet të jetë vërtet një kabinet me teknikë, me profesionistë të mirë, jashtë botës politike, jashtë politikës dhe pjesëmarrja në qeveri duhet të jetë për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme, të pranueshme nga të gjitha palët.

Kjo në Shqipëri duhet bërë patjetër nën kujdesin e ndërkombëtarëve. Me patjetër - ky është një nga kushtet bazë. Por,  qeveria teknike që mund të krijohet, në qoftë se nuk do të shoqërohet me ndryshime në Kodin Zgjedhor, atëherë del përsëri një qeveri teknike që nuk do të sjellë atë që duhet, të vërtetën dhe drejtësinë që duhet,” nënvizoi Luan Baçi.

Ndiqni intervistën e plotë në SYRI TV.  

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco