Tabaku: SPAK po heton edhe çështjen e dherave te inceneratori i Tiranës

Tabaku: SPAK po heton edhe çështjen e dherave te inceneratori i Tiranës

20:20, 22/05/2024
A+ Aa A-

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, është shprehur në rrjetet sociale se një nga temat më të nxehta të aferës së inceneratorëve është ajo e dherave për inceneratorin e Tiranës.

Sipas saj, konfirmimi i kreut të SPAK se Prokuroria po heton edhe këtë çështje te inceneratori i Tiranës është një shenjë tjetër inkurajuese që duhet t’i shkohet deri në fund “aferës së shekullit”.

Reagimi i plotë i deputetes Jorida Tabaku:

Një nga temat më të nxehta të Aferës së Inceneratorëve është ajo e dherave për inceneratorin e Tiranës. Që prej ditës së parë që e denoncova këtë xhep korruptiv të asaj afere të madhe, u përballa me sulmet dhe përbaltjen nga makineria e kryebashkiakut Veliaj ka në këto raste.

Kur denoncimi u përforcua me prova nga Komisioni Hetimor që falë dëshmive të tij provoi se bashkia kishte krijuar një monopol të mbledhjes së dherave, u përballa me një seri tjetër shpifjesh dhe akuzash të fabrikuara në zyrat e atyre që ishin ideatorët dhe përfituesit e aferës së inceneratorëve.

Raporti i Komisionit Hetimor të Inceneratorëve i dorëzuar në SPAK bashkë me mbi 14 kallëzime penale që prej tetorit 2020 e deri në mars 2022 ka provuar qartësisht se si një xhep kontrate me vlerë 60 mln euro në atë kohë (që ka shkuar më shumë padyshim) i qe dhuruar instalacionit të korrupsionit në Tiranë.

Se si policia bashkiake me urdhër të qartë ishte vendosur në shërbim jo të qytetarëve por të inceneratorit të Tiranës. Se si më pas çdo instrument që ndikonte në rritjen e fitimit për pronarët e inceneratorit të Tiranës u vendosën në funksion të tyre.

Të gjitha këto ndodhën j opa dijeninë e kryebashkiakut Veliaj, që ditën kur ia vendosa faktet përpara syve të tij dhe miliona shqiptarëve ai zgjodhi rrugën e një sulmi personal por jo të përgjigjes ndaj tyre. Ai zgjodhi përbuzjen e fakteve me bindjen se edhe kësaj radhe sulmi do të jetë rruga për të shpëtuar nga drejtësia dhe e vërteta.

Sot, drejtuesi i SPAK njoftoi që prokuroria e drejtuar prej tij po heton edhe çështjen e dherave tek inceneratori i Tiranës. Një shenjë tjetër e mirë dhe inkurajuese që duhet ti shkohet deri në fund aferës së shekullit. Drejtësia mbase vonon por nuk harron!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco