Arratisja e Sekiraqës/ Kurti: Dështim i sistemit, duhet reformë në drejtësi

Arratisja e Sekiraqës/ Kurti: Dështim i sistemit, duhet reformë në drejtësi

10:57, 21/05/2024
A+ Aa A-

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se arratisja e të dënuarit për vrasjen e policit Triumf Riza, Enver Sekiraqa, është dështim i sistemit gjyqësor.  Në mbledhjen e qeverisë të martën, Kurti tha se situata po bëhet edhe më e rëndë kur këto raste nuk po përbëjnë përjashtim. 

“Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vet nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk përbëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më si rastësi”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se reforma në sistemin e drejtësisë është urgjencë. 

“Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për çdo ditë për të përfshirë të gjithë qytetarët, nga të gjitha komunitetet pa dallim në jetën institucionale, zhvillimin ekonomik, drejtësinë sociale të Republikës sonë të përbashkët. Vendosja e rendit dhe ligjit është kusht i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi. Këtë nuk e bëjmë kundër askujt të posaçëm, këtë e bëjmë gjithnjë, për të gjithë, për interesin publik në Republikë Demokratike. Vrasësit e policëve në liri janë kulmi i padrejtësisë, reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë, tash është urgjencë, urgjencë institucionale, urgjencë shtetërore, urgjencë kombëtare”, ka deklaruar Kurti. 

Enver Sekiraqa, i dënuar tri herë nga gjykatat në Kosovë për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, që nga e premtja është në arrati.

Sekiraqa u dënua në fillim të majit me 25 vjet burgim, por u la i lirë deri në plotfuqishmërinë e vendimit. Të premten e javës që shkoi, Apeli mori vendim që ai të paraburgoset, por policia nuk e gjeti në shtëpi. 

Sekiraqa akuzohet për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza në gusht të 2007-s, e cila sipas prokurorisë ndodhi pas një zënke mes tyre në dhjetor të vitit 2006. Më 2017 ai ishte dënuar me 37 vjet burgim për dy vepra penale: “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe “detyrim”. Rasti më vonë u kthye në rigjykim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco