'Pse, me pensionin e mamasë do i ble votat unë?!'

'Pse, me pensionin e mamasë do i ble votat unë?!'

14:33, 13/05/2024
A+ Aa A-

(IRIQI bisedon me Lali Erin)

Iriqi: - Duket çudi që gjithë drejtorët e bashkisë tuaj po akuzohen si hajdutë. Pse kështu?

Lali: - S’ka asnjë çudi, o Iriq.

Iriqi: - Ata kanë grabitur paratë e buxhetit.

Lali: - Ata i kanë marrë paratë e buxhetit, por nuk i kanë grabitur se kanë firmosur që i kanë çuar nga bashkia në bankë.

Iriqi: - Po i kanë çuar te llogaria e tyre personale?

Lali: - Po. Dhe me firmë i kanë tërhequr. Pra, janë transparentë, nuk kanë fshehur asgjë.

Iriqi: - E ku i kanë çuar pasi kanë mbushur thasët me lekë nga llogaria e tyre në bankë?

Lali: - M’i kanë sjellë mua. Dihet kjo. Nuk i lejoja unë t’i çonin te shtëpia e vet. Se janë para të popullit ato dhe nuk duhen shpërdoruar.

Iriqi: - E si u përdorën që mos të shpërdoroheshin?

Lali: - Ua kthyem qytetarëve çdo lek që morën drejtorët. Ua dhamë atyre deri në qindarkën e fundit.

Iriqi: - E si ua dhatë?

Lali: - Së pari paguam çdo votë që ata hodhën në kuti për mua. Ikën kohërat kur populli votonte dhe askush nuk i jepte gjë. Tani në respekt të votës e të jetës sa më të mirë të tyre, unë i paguaj. Çdo votë shpërblehet, njësoj si djersa në punë. E sheh që nuk ka vjedhje?! Ka thjesht rishpërndarje të buxhetit.

Iriqi: - Po a është ligjore kjo?

Lali: - Po sigurisht që është.

Iriqi: - Mbi cilin ligj mbështetesh?

Lali: - Mbi ligjin PS. Pra, partia mbi të gjitha.

Iriqi: - Po SPAK e quan në rregull këtë?

Lali: - SPAK e kreu misionin. Mbylli në shtëpi Berishën. Kaq na duhej. Është si banania tani, lëkura i ka ngelur, nuk e do kush. Së shpejti SPAK do të vihet nën hyqmin e Fatmir Xhafajt dhe te ai do të marrin leje edhe kur të gogësijnë.

Iriqi: - Po pse nuk mblidhni fonde për zgjedhjet? Pse përdorni buxhetin e bashkisë?

Lali: - Deri më sot e dinë të gjithë që i kam rënë më qafë mamit. Po akoma me pensionin e saj do të bëj politikë unë?! E lashë pa një dyshkë të mirën time. Andaj u thashë drejtorëve, krijoni kompani t’u nis unë para dhe ju pastaj m’i nisni ato para mua.

Iriqi: - Ama drejtorët janë në burg, ndërsa ju…

Lali: - Hë për hë janë në burg. Dhe s’po e kalojnë keq atje. Me shoqëri, me palestër, me pije e kur duan, edhe me femra. Po ja, ca kohë kështu. Më pas i futim një amnisti dhe ikin të gjithë të lumtur e të pasuruar në shtëpi.

Iriqi: - Po inceneratorët…

Lali:- Inceneratorët në punë janë. Non stop djegin…

Iriqi: - Çfarë djegin, se nuk del askund tym?

Lali: - Djegin dollarë,euro, Iriq! Djegin para! E ato nuk nxjerrin tym. Leku kur digjet pjell lumturi, gëzim dhe vota. Ah sa shumë vota dalin nga ai zjarr!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco