'Beteja më e rëndësishme aktualisht është për të çliruar Bashkinë e Tiranës'

'Beteja më e rëndësishme aktualisht është për të çliruar Bashkinë e Tiranës'

09:28, 19/04/2024
A+ Aa A-

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’

Të dashur qytetarë dhe qytetarë të Tiranës dhe të Shqipërisë, qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë.

Nderimin tim më të madh për ju, për oratorët e mençur, fjalëzjarrtë që përcjellin nga kjo platformë dritën e të vërtetës në të katër anët e Shqipërisë.

Të dashur miq!

Si person që më dhatë mundësinë, besimin dhe privilegjin që të drejtoj së bashku me të tjerë betejën që rrëzoi komunizmin, si presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, kryeministri i qeverisë që anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe liberalizoi vizat për shqiptarët, që realizoi projektet e shekullit si Rruga e Kombit, TAP dhe Kaskada e Devollit, dyfishoi rrogat dhe pensionet, mund t’u them se kam nxjerrë një mësim kyç për demokracinë.

Në ditët që jetojmë, ky mësim është më i rëndësishëm se kurrë.

Prandaj dhe këtë mësim unë dua ta ndaj me ju sepse qëndron si mësimi më thelbësor i jetës sime politike për të garantuar demokracinë për ne dhe brezat që do vijnjë pas nesh.

Ky mësim është: demokracia nuk dhurohet, demokracia fitohet. Demokracia grabitet dhe zhduket, në rast se ajo nuk mbrohet.

Nuk gjen në botë një rast kur demokracia t’u jetë dhuruar qytetarëve. Nuk ua dhuroi askush demokracinë baballarëve themelues të SHBA. Atë e fituan vetë. Nuk ua dhuroi askush demokracinë shqiptarëve në vitin 1991. Shqiptarët e fituan vetë. Nuk ekziston asnjë komb në botë ku demokracia të jetë servirur si dhuratë në pjatë argjendi.

Demokracia fitohet dhe vetëm fitohet. Demokracia fitohet me betejë, me guxim, me sakrifica, me vetëmohim, me lot, me djersë dhe ngadhënjim. Demokracia gjithnjë duhet mbrojtur, përndryshe ajo nuk mbijeton dhe humbet siç ka humbur ajo në dhjetëra kombe gjatë historisë së re.

I dënuar është çdo komb që harron këtë mësim, sepse ky komb gjithmonë do humbasë demokracinë.

Në këtë kontekst, qysh prej vitit 2021 ne jemi në luftën vendimtare të epokës për shpëtimin e demokracisë. Por përsëri nuk mund të themi se e kemi shpëtuar atë. Jo dhe jo. Por ne jemi në mes të luftës dhe beteja jonë nuk ishte dhe nuk është një betejë e humbur. Jo dhe jo.

Dhe me krenari mund të themi se pas shumë sulmesh, lobimesh korruptive, pabesish, krimesh, ne kemi fituar çdo betejë që kemi bërë gjer sot.

Edi Rama kishte vetëm një qëllim, Shqipëria pa opozitë apo opozita në këmëbt e tij. Por njëlloj si në legjendë, betejën e fitoi Davidi, e fituam ne. Ai humbi. Ja ku jemi ne sot. Ne fituam dhe mafia e tij humbi në mënyrë dëshpëruese.

Edi Rama u përpoq të na vjedhë PD-në. Por ne e fituam kët betejë. Edi Rama humbi. Sot PD nuk është e pengjeve të Edi Ramës, por është e demokratëve, e luftëtarëve të lirisë, e qëndrestarëve të çlirimit të vendit. Sot, PD është e bashkuar. Sot partia është gati për rikthimin e saj në pushtet.

Edi Rama humbi dhe do humbasë përsëri. Edi Rama kur pa që projekti për të grabitur PD-në nuk eci, ai urdhëroi Dumanët e tij dhe arrestuan Sali Berishën pa prova si në Rusi. Pa fakte, si në Mianmar. Dhe për paturpësinë më të madhe të drejtësisë së re, pa asnjë akuzë dhe në shkelje të Kushtetutës dhe Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut njëlloj si në Bjellorusi.

Por Edi Rama me kamikazët, me Dumanët e tij të drejtësisë së re, sërish humbi. Sali Berisha ja ku është sonte, së bashku me ju.

Jemi më të fortë se kurrë!

Me arrestimin e padrejtë të Sali Berishës, ju krijuat Rrugën e Shpresës.

Rruga e Shpresës solli bashkimin e demokratëve dhe në kohën që kolagjerët e Edi Ramës përhapnin në të katër anët se PD vdiq, ne mblodhëm protestën më madhështore, më monumentale, më tmerruese për regjimin antidemokratik në 32 vite.

Në 20 shkurtin më të rëndësishëm që çel fillimet e epokës së re.

Por Edi Rama nuk u ndal. Vazhdoi me puçe ndaj demokracisë, shkatërrimin e parlamentit shqiptar. U mohoi deputetëve opozitarë, u mohoi 700 mijë shqiptarëve të drejtat e tyre kushtetuese në parlament. U mohoi përfaqësinë, komisionet hetimore, të drejtën për të sjellë ligje.

Çfarë bëmë ne? Betejë pa kthim dhe me këtë betejë pa kthim ne u kthyem 700 mijë shiptarëve të drejtave të mohuara.

Sot ne kemi përfaqësi, sot kemi komisionet hetimore. Ne fituam përsëri, Edi Rama humbi dhe do humbasë përsëri.

Miqtë e mi!

Këto nuk janë fitore të vogla sepse këto fitore kanë parandaluar kapitullimin e opozitës, kapitullimin final të demokracisë.

Imagjinoni për një çast sikur ne të mos kishim luftuar, imagjinoni si do të ishte Shqipëria sot nëse ne do ishim dorëzuar?

Një PD fasadë, me një kryetar të lidhur me fije që tërhiqen nga dora e zezë e Edi Ramës. Një parlament fasadë me zero kërkim llogarie për qeverinë më hajdute në Europë, thjesht një stoli në qafën e diktaturës së Edi Ramës dhe qytetarët do ishin të shurdhër për inceneratorët, për sterilizatorët, për vjedhjet 100 përqind të bashkisë, për Dubai Cityn e Edi Ramës, për Olsin e Xibrakës, për Kushtetutën e Xhaçkës dhe Amantin e Olsit.

Sepse nëse sot këto afera janë ngritur si problem, është sepse opozita e vërtetë ka fituar çdo ditë, e ka ekspozuar atë çdo ditë me fakte, me dokumente, me denoncime.

Miqtë e mi!

Këto ishin arritjet e betejave tona këto vite. Këto ishin edhe humbjet që e tmerrojnë Edi Ramën dhe thërrmuan ëndrrën e tij makabre për një vend pa opozitë. Por sot ende nuk e kemi fituar dhe kemi ende vështirësi pasi jemi në mes të luftës.

Por të paktën sot Shqipëria dhe shqiptarët kanë sy, kanë veshë, kanë një opozitë të vërtetë, kanë një parlament që kërkon llogari.

Ne do fitojmë!

Të dashur miq!

Të gjitha këto beteja kanë pasur rëndësinë e tyre, por betejat më të rëndësishme gjenden para nesh.

Në këtë kuadër, beteja më e rëndësishme aktualisht është beteja e të premtes fitimtare. Beteja jonë për të çliruar bashkinë e Tiranës nga politikani më i urryer, më i shpifur që shqiptarët që kanë pasur në tërë ekzistencën e tyre. Pse është beteja e nesërme më e rëndësishme?

Sepse prej kohësh është faktuar se në Shqipëri vepron një diktaturë me bekimin e mafies më të rrezikshme ndërkombëtare, të kryesuar nga superspekulanti, armiku i egër i demokracisë shqiptare, Xhorxh Soros dhe djali i tij, Aleksis.

Të dashur miq!

Diktaturat na mëson historia, nuk ikin me votë, nuk ikin me drejtësi as salla gjyqi. Diktaturat, drejtësinë e kanë armë të tyre, njëlloj siç ka sot narkoshteti, drejtësinë e re të Dumanëve dhe Zamanëve.

Por miqtë e mi, diktaturat shkallmohen dhe historia na mëson se shkallmimi i diktaturave nis kur ato humbasin kryeqytetin.

Diktatura e Gedafit u shkallmua vetëm pasi ai humbi Tripolin, kryeqytetin e Libisë. Diktatura e Sadam Hysenit u shkallmua vetëm pasi ai humbi Bagdadin, kryeqytetin e Irakut.

Ashtu edhe Edi Rama, që sot ka më shumë pushtet se Ramiz Alia në vitin 1990, do shkallmohet sapo qytetarët të çlirojnë bashkinë e kryeqytetit nesër.

Ne që shpëtuam PD-në, ne që shpëtuam pluralizmin në parlament, tani ora na thërret për të shpëtuar bashkinë e Tiranës.

Të gjithë të bashkia, fitore!

Qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, shpëtimi i bashkisë është rrëzimi i regjimit. Rënia e Erion Veliajt do të thotë rrëzimi si domino i të gjithë pushtetit të kalbur të Rilindjes me në krye Edi Ramën.

Por beteja e nesërme nuk është e rëndësishme vetëm për fatin e demokracisë, beteja e së premtes është një sprovë dinjiteti për shqiptarët, sepse të dashur miq, Erion Veliaj poshtëron shqiptarët, të gjallët, të vdekurit, ata që do të vijnë kur ndërton rrugë me shtatë herë çmimin e rrugëve që ndërtohen në Europë.

Veliaj poshtëron shqiptarët kur i mashtron se ka mbjellë 1 milion pemë dhe ka vjedhë vlerën e 1 milion fidanëve pa i blerë dhe pa i mbjellë kurrë. Veliaj i poshtëron shqiptarët kur vjedh qindra milionë euro për një incenerator që nuk ekziston.

Mos harroni se Veliaj e ndryshoi praktikën e trajtimit të mbetjeve. Mos harroni se Veliaj falsifikoi firmat e Këshillit Bashkiak dhe të njësive të qeverisjes vendore të qarkut të Tiranës për kompaninë Rama-Veliaj.

Erion Veliaj poshtëron shqiptarët se me modelin më monstruoz të vjedhjeve 100 përqind, të padëgjuar sot në Shqipëri, pasuron veten dhe shushunjat rreth tij.

Të gjitha këto, gjithë ky poshtërim buron vetëm nga mllefi i këtij hajduti që ka ndaj qytetarëve. Hajduti gjithnjë e urren personin që e vjedh.

Ai u vjedh sepse, duke cituar vetë Veliajn, ju konsideron zdromsa.

E dëgjuat ju vetë se si Rilindsja e Edi Ramës, Olta Kushtetuta, me çfarë përbuzje u shpreh se më zbresin ata nga mali. Për Edi Ramën dhe njerëzit e tij, shqiptarët janë qytetarë të dorës së dytë për t’u përçmuar, për t’u poshtëruar, për t’u neveritur. Prandaj dhe i vjedhin, prandaj dhe i përbuzin, prandaj dhe i përzënë nga atdheu i tyre.

Por kjo urrejtje ndaj shqiptarëve, nesër të premten, në ora 11:00 merr fund.

Erion Veliaj, të paralajmëruam dy herë, nuk dhe dorëheqjen. Ke afat gjer nesër në ora 11:00. Mos u fshih kot prapa policëve. I sigurt të jesh ti se ata do bashkohen me protestuesit.

Për ta mbyllur, kam një thirrje të veçantë për policët.

Të dashur policë!

Lejoni kushtrimin thirrës të qytetarëve të Tiranës, të kombit, të depërtojë te ju, në zemrat tuaja, në shpirtin tuaj. Hapni veshët ndaj agonisë së qytetit tuaj. Dhe shikoni se çfarë është katandisur Tirana dhe mos harroni se para se të jeni policë, jeni së pari shqiptarë.

Në protestën e fundit ju ishit përballë qytetarëve, por me zemër, me shpirt ju ishit me qytetarët dhe kjo dallohej qartë në sytë, në fytyrat tuaja.

Nuk mundeni kurrë ju, djem të rinj dhe të ndershëm t’i shërbeni një hajdut të shpifur, të pashpirt, antishqiptar si Erion Veliaj. Nuk keni ju pse paguani asnjë kusur të tij. Ju që jeni aty në brendësi e kuptoni më mirë kalbësirën që ai institucion ka brenda dhe kundërmon.

Ndaj dhe ditën e nesërme bëni histori, hiqni kapelet dhe çlironi bashkinë nesër bashkë me qytetarët e Tiranës dhe do keni përjetë mirënjohjen e shqiptarëve.

Do frymëzoni brezat e ardhshëm me heroizmin tuaj. Stop me farsa, stop me abuzime, stop me poshtërimet ndaj shqiptarëve.

Prandaj miq, nesër vazhdon beteja pa kthim,

E treta e vërteta, ta shporrim Erion Veliajn dhe me urgjencë të vendosim qeverinë teknike.

Të shkallmojmë diktaturën e Edi Ramës dhe t’u kthejmë shqiptarëve paratë e vjedhura, t’u kthejmë shqiptarëve dinjitetin, t’u kthejmë shqiptarëve bashkinë e tyre, t’u kthejmë shqiptarëve demokracinë dhe të shpëtojmë Shqipërinë.

O sot, o kurrë!

Fitore, fitore, fitore!

Rrofshi ju, rroftë PD, rrofshin qytetarët e Tiranës, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco