VIDEO/ Abilekaj: '5D', Veliaj të dorëhiqet ose shkarkohet. Ja pse Rama nuk lejon hetimin parlamentar

19:44, 16/04/2024
A+ Aa A-

Gazetari Enton Abilekaj në një intervistë për Syri TV tha se mazhoranca e Edi Ramës nuk është e interesuar që të lejojë punën e dy komisioneve hetimore parlamentare.

Abilekaj tha se pavarësisht se ndërkombëtarët mund të jenë garant, Edi Rama nuk është hera e parë që shkel marrëveshjet apo dakordësimet që bën me opozitën.

“Nuk ka asnjë ndryshim të mazhorancës ndaj opozitës, nuk ka asnjë dëshirë të mazhorancës për funksionimin e Parlamentit”, tha Abilekaj.

Sipas tij, Parlamenti nuk funksionon dhe dallimi i vetëm është që nuk kemi një opozitës që prish seancat.

Duke u ndalur në funksionimin e Komisionit Hetimor për TIMS, Abilekaj tha se kjo Prokurori që nga gushti deri në prill nuk u mor fare me çështjen, sapo u ngrit Komisioni arrestoi drejtorin e IT-së.

“Qëllimi kush ishte? Që ky drejtori të mos shkojë në Komision dhe po ta shikoni socialistët po kërkojnë që të gjithë ata që po hetohen të mos thirren në komisionet hetimore. Pra kemi një koordinim mes Prokurorisë dhe mazhorancës, një koordinim të qartë për të dështuar punën e komisioneve hetimore”, tha Abilekaj.

Sipas tij, kjo marrëveshje që u bë me mendimin për mirë na rezultoi një naivitet pasi Edi Rama nuk ka ndryshuar.

“Mendoj se janë krijuar kushtet komode që Edi Rama të injorojë opozitën dhe kjo po ndodh”, tha Abilekaj.

Lidhur me protestën e opozitës para Bashkisë së Tiranës, Abilekaj tha se nëse do të ishim një vend normal demokratik, Erion Veliaj ose duhej të dorëhiqej, ose duhej të shkarkohej nga Edi Rama.

“Si tha Edi Rama: njerëz me dy xhepa. Dhe mendoj se Erjon Veliaj e gjen veten te kjo deklaratë e Ramës. Minimumi që duhet të bëjë Erjon Veliaj është të japë dorëheqjen, pasi sa kohë të jetë aty ai po pengon drejtësinë, po mbron hajdutët dhe po mbron edhe veten. Erjon Veliaj me deklaratat e tij po orienton dhe çfarë duhet të bëjë prokuroria me këta që ka kapur”, tha Abilekaj.

Gazetari tha se është e domosdoshme që në Bashkinë e Tiranës duhet të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi në rastin më të mirë kemi të bëjmë që nuk janë të zotët që të kapnin atë që ndodhi me ‘5D’.

“Duhej të japin dorëheqjen të gjithë drejtuesit e Bashkisë që kanë qenë në detyra të rëndësishme gjatë kësaj afere”, tha Abilekaj.

Ai tha se sot nuk kemi pyll orbital, madje këtë e thotë edhe Banka Botërore, por beton orbital.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco