'Skrapi i partisë arreston ushtarët e Eskobarit për të mbrojtur Pablon'

'Skrapi i partisë arreston ushtarët e Eskobarit për të mbrojtur Pablon'

09:27, 10/04/2024
A+ Aa A-

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta.

Mirënjohjet më të pakufishme, nderimin më të madh për ju misionarët e vërtetë të kauzës së drejtë, të dinjitetit dhe lirisë së njeriut, të interesit kombëtar.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve tuaj që kanë shndërruar këtë platformë në zërin më të fuqishëm të qytetarëve shqiptarë.

Në zërin që dëgjohet në të katër anët e vendit, ngroh zemrat e shqiptarëve, tmerron narkomafien me në krye Edi Ramën në Shqipëri.

Por unë këtë natë dua ta filloj këtë natë Bajrami me një urim të veçantë për besimtarët myslimanë dhe në veçanti agjëruesve të muajit të madhnueshëm të Ramazanit.

Nga zemra u uroj gëzuar natën e Bajramit, Zoti mëshirëplotë ua pranoftë sakrificat, lutjet.

Sjelltë në familjet tuaja paqe, begati, si dhe për vatrën tonë të përbashkët, Shqipërinë, lehtësim të vështirësive, prosperitet dhe dinjitet.

Të dashur miq!

Më pak se 40 orë na ndajnë nga dita e betejës.

E mosbindjes civile.

Dita e ngritjes së qytetarëve dinjitozë të Tiranës kundër tiranisë së hajnisë, të krimit, të turpit, të poshtërimit të Erion Velisë dhe bandës së tij.

Tirana po zien sonte, këtë natë Bajrami, krahas ndjenjave të festës, pro edhe të revoltës ndaj një grupi që nuk e ka pasur kurrë në atë shtëpi që nga themelimi i saj si kryeqytet.

Tirana pret me padurim orën 11, orën e zërit të saj të fuqishëm, orën e çlirimit të shtëpisë së parë të kryeqytetit nga njeriu që është pak ta quash turp i njeriut.

Është pak ta quash turpi i qytetit.

Ai është turpi i njerëzimit, sepse Erion Veliaj, ky hajdut i shpërfytyruar, i pangopur, vendosi në Tiranë modelin e padëgjuar kund në botë, modelin e vjedhjes 100 përqind të parave të prokurimeve publike.

Në çdo dhomë, në çdo zyrë, në çdo shkresë të këtyre horrave pa moral, pa ligj, pa nder, pa dinjitet vjen erë, mban erë vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.

Me në krye kryehajdutin.

A nuk janë këta hajdutë njëlloj si në përrallën Ali Baba me 40 hajdutë?

A nuk është ky person pa dinjitet, pa ndjenja, i shpërfytyruar, që gënjeu qytetarët e Tiranës me pyllin e 1 milion pemëve, vetëm për të vjedhur paratë për 1 milion pemë që nuk i bleu kurrë?

A nuk është ky?

Çfarë t’i thuash këtij? Nuk duhet të prishësh gojën. Që ka zhdukur 130 milionë euro për djegësin e Tiranës dhe djegësi nuk ekziston.

Kurse pardje u thoshte qytetarëve se Tirana po pastrohet.

Po ky është djegësi mo i pafytyrë?

Po a u dhanë 130 milionë euro për djegësin o i pafytyrë?

Po si mund të shkelësh ti o i pafytyrë në bashkinë e Tiranës, në zyrën e qytetarëve?

Jo mo jo. Për zverku jashtë!

Erion Veliaj, e nise qeverisjen në mënyrën më të turpshme.

Je ministri i vetëm që u martove me paratë e ministrisë duke i dhënë vëllait tënd tenderin.

Erdhe në qeveri pasi drejtove një organizatë, të cilës i vodhe financat dhe për të zhdukur gjurmët e hajnisë, i vodhe kompjuterin.

Erion Veliaj, ti je fytyra e vërtetë e Edi Ramës, ti je shëmtira e vërtetë e njeriut.

Po si ka mundësi, dhe reziston.

Si ke fytyrë dhe del nga studioja në studio, në një kohë kur paratë e taksapaguesve janë shndërruar në qindra e qindra apartamente private tuajat, të Mollës, Tushës dhe hajnave të tjerë rreth teje.

Po si ke fytyrë dhe del para qytetarëve të Tiranës në një kohë kur paratë e taksapaguesve të Tiranës janë shndërruar në hotele me pesë yje, tuajat dhe të sojit tënd hajdut me Edi Ramën.

Nuk ke fytyrë ti. Del para qytetarëve të Tiranës kur tenderin për furnizimin me ujë të bashkisë e fitonte drejtori yt.

Dhe si njerëz të pangopur ndanin paratë e vjedhjes së shtëpisë së parë të qytetarëve të Tiranës.

Erion Veliaj, je përpjekur gjatë këtyre viteve të mbulosh vjedhjet e tua me të gjitha përversitetet njerëzore.

Ke përdorur me dhjetëra milionë taksa të qytetarëve për të shpifur dhe trilluar kundër kundërshtarëve.

Por tani, vrima e miut të pret.

Vend në bashki nuk ke. Largohu, largohu!

Tirana është sot më e zemëruar se kurrë. Ndaj dhe jep dorëheqjen sonte, ke shkelmuar mbi sakrificën, mundin, djersën e qytetarëve të Tiranës, duke vjedhur 80 gjer në 100 përqind të çmimit të shkollave për fëmijët.

Duke tenderuar 3 herë një kopsht që nuk ekziston.

Ti je makabër. Të tenderosh 3 herë një kopsht që nuk ekziston për fëmijët, ti je i aftë të kryesh çdo krim ndaj tyre.

Ti nuk ke zemër, ke vetëm torbë për të vjedhur.

Erion Veliaj, jep dorëheqjen. Mos u fshih para vjedhjeve të Edi Ramës. Se edhe në Surrel po shkove, në Surrel do të të gjejmë.

Do të të japim atë që meriton!

Koha është të shkosh aty ku e meriton.

Bandit si ti, Tirana nuk ka parë.

Ti ke vjedhur në këto 4 vite, më shumë se ç’ka vjedhur Tiranën çdo qytetar, çdo zyrtar, çdo hajdut para teje në një shekull.

Largohu, mos e prit të enjten aty.

Mos mbill sherr!

Ik dhe vetëm ik!

Se pafytyrësi të tillë nuk ka parë Tirana ndonjëherë.

Erion Veliaj, ke zgjedhur njëlloj si Edi Rama, të mbrohesh nga Skrapi i partisë.

Por edhe ato fijet, edhe ato lidhjet, këtu në rrugën e të vërtetës, në Rrugën e Shpresës, do t’i zbërthejmë një nga një.

Bashkë me hajdutët e Skapit, bashkë me anëtarët e organizatës kriminale të Skapit.

Bashkë me ata që arrestojnë njëlloj si narkoprokurorët e Kolumbisë, arrestojnë ushtarët e Eskobarit për të mbrojtur Pablon.

Edhe ata arrestojnë ushtarët tu dhe të Edi Ramës për të mbrojtur ju dhe qindra e qindra milionë që u keni vjedhur shqiptarëve.

Edhe njëherë, gëzuar natën e Bajramit!

Zoti u bekoftë ju, familjet tuaja dhe Shqipërinë.

Zoti e bekoftë betejën e shqiptarëve kundër hajdutëve, kundër kleptokratëve, për çlirimin e bashkisë, për çlirimin e Shqipërisë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco