Analistja amerikane: Gabimi i perëndimit që e trajton Vuçiçin si faktor stabiliteti

Analistja amerikane: Gabimi i perëndimit që e trajton Vuçiçin si faktor stabiliteti

20:55, 07/04/2024
A+ Aa A-

Ivana Stradner, ekspertja amerikane në çështjet e sigurisë dhe një vëzhguese e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor ka ngritur shqetësime serioze lidhur me rolin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në rajon. Përmes një postimi në llogarinë e saj në platformën “X” ajo shkuan se disa vende të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të vetëdijshëm se Vuçiç aktualisht vepron si faktori kryesor i destabilitetit në Ballkan.

“Uashingtoni dhe disa vende të BE-së e trajtojnë Presidentin e Serbisë si faktorin e stabilitetit në Ballkan. Kur, në fakt, është ai që po e destabilizon… këtë e ka mësuar nga mentori i tij Millosheviq” – shkruan Stradner.

Sipas saj, inteligjenca serbe ka investuar burime të konsiderueshme për të krijuar një imazh të Vuçiçit si një lider që është i përqendruar vetëm tek përfitimet ekonomike dhe se për këtë arsye, ai duhet të përceptohet si një figurë stabiliteti. Kjo strategji, sipas saj, ka për qëllim të bindë figurat kyçe perëndimore për të mos parë ngjarjet e viteve ’90 dhe të fokusohen në potencialin e bashkëpunimit të ardhshëm.

“Inteligjenca e Serbisë ka bërë përpjekje të palodhura për të bindur udhëheqësit në Perëndim se Vuçiçit i interesojnë vetëm financat dhe ekonomia, dhe se kjo përfaqëson një garanci për stabilitet. Kjo taktikë ka për qëllim jo vetëm të krijojë përshtypjen e një Vuçiçi të moderuar, por edhe të dobësojë opozitën pro-perëndimore dhe të ushqejë lëvizjet e ekstremit të djathtë,” – shkruan ajo.

Stradner shpreh shqetësimin se Ballkani po neglizhohet nga udhëheqësit perëndimorë, ndërsa shumë analistë të huaj tashmë kanë humbur shpresat se perspektiva evropiane e Serbisë do të shtynte Vuçiçin drejt qëndrimeve më demokratike.

“Ky mashtrim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për doktrinën serbe të sigurisë dhe Vuçiq ka mësuar se si të flasë me Perëndimin. Ata gjithashtu duan të synojnë egot e mëdha në Perëndim dhe t’i trajtojnë ata si idiotë të dobishëm.

Fatkeqësisht, shumë politikanë në Perëndim nuk e kuptojnë Beogradin. Disa (si Britania) e kuptojnë, por nuk mund të bëjnë shumë pasi nuk kanë as karota, as shkopinj. Gjithashtu, ata nuk e kanë idenë se çfarë të bëjnë me Vuçiqin pasi nuk ka as opozitë.

Me luftën e Rusisë në Ukrainë, kërcënimin e Kinës, kaosin në Lindjen e Mesme, nuk jam e befasuar që shumë pak i kushtojnë vëmendje asaj që po ndodh në Ballkan. Edhe në fillim të viteve ’90, kur kishim një botë unipolare, Perëndimi ishte vonë dhe i shkëputur për një kohë të gjatë.

Shumë politikëbërës nuk e kuptojnë ideologjinë, kulturën, politikat e identitetit në Ballkan dhe mendojnë se paratë janë gjithçka që ka rëndësi. Prisni deri më 5 maj kur Vuçiç, Dodik dhe Kisha Ortodokse do të shpallin Botën Serbe. Politikëbërësit perëndimorë ndoshta do të thonë “mos u shqetësoni se është thjesht nacionalizëm për audiencën vendase. Vuçiç është djali ynë dhe ne mund ta kontrollojmë Dodikun” – thotë analistja amerikane.

Ajo shpërndan edhe një artikull që është një përmbledhje shumë e mirë se si në vitet ’90 Perëndimi e trajtoi fillimisht Millosheviçin si një figurë të domosdoshme për zgjidhjen e konflikteve në të gjithë Jugosllavinë, por që më pas u pendua. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco