Procesi politik ndaj Sali Berishës, rekord shtyrjesh nga gjykatat e SPAK/ Plani, djegia e mandatit të deputetit

Procesi politik ndaj Sali Berishës, rekord shtyrjesh nga gjykatat e SPAK/ Plani, djegia e mandatit të deputetit

18:53, 02/04/2024
A+ Aa A-

Zvarritjet e procesit gjyqësor, nga prokuroria apo gjykatat, ndaj liderit të opozitës Sali Berisha kanë thyer çdo rekord. Shtyrja e seancave është në funksion të një qëllimi të vetëm, djegien e mandatit të deputetit për zotin Berisha. Materiali në vazhdim do ju njohë me të gjitha seancat e shtyra ndaj zotit Berisha, të cilat kanë bërë që të humbin rreth 70 ditë.

Zvarritjet e procesit gjyqësor apo mbi vendimmarrjen rreth kërkesave të liderit të opozitës Sali Berisha nga SPAK dhe gjykatat e sidomos nga GJKKO, kanë thyer çdo rekord. Këto shtyrje të vazhdueshme dhe të paarsyeshme kanë bërë që të humbin rreth 70 ditë dhe siç, thonë avokatët, synojnë djegien e mandatit të deputetit për zotin Berisha.

Shtyrja e fundit ishte ajo e të martës së 2 prillit, ku në orën 08:30, ishte caktuar të zhvillohej seanca mbi kërkesën e bazuar në 3 shtylla të avokatëve për zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest në shtëpi në një masë më të butë. Shkak u bë mungesa e prokurorëve Arben Kraja dhe Enleleda Millonai, të cilët kishin njoftuar se nuk merrnin dot pjesë për arsye objektive. Kjo shtyrje u pa nga mbrojtja si shkelje ligji dhe etike.

Para kësaj, e njëjta gjykatë, me trupë Irena Gjokën në 4 mars 2024 shtyu seancën me kërkesë për revokim mase nga mbrojtja. Gjoka përdori si alibi se në fletëthirrje nuk është vendosur që Berisha të përfaqësohet në mungesë nga avokatët. Sipas saj, shtetasi në hetim kishte refuzuar të firmoste fletëthirrjen. Për këtë arsye u la një datë tjetër, ajo e 8 marsit.

Por edhe në 8 mars shqyrtimi i kërkesës dështoi. Shkak u bë kërkesa e avokatëve për t'u njohur me informacionin e depozituar gjatë 2 muajve dhe ecurinë e hetimeve nga ana e SPAK, teksa kjo e fundit nuk e dispononte për t’ia vënë në dispozicion mbrojtjes.

Në këto rrethana për të njëjtën kërkesë caktohet një datë e tretë, ajo e 12 marsit. Në këtë datë Irena Gjoka, ndaj së cilës në çdo seance, bashkë me çdo kërkesë tjetër të mbrojtjes kërkohej edhe përjashtimi i saj për njëanshmëri dhe konflikt interesi, vendos të rrëzojë kërkesën e Berishës.

Më 19 Mars, seanca e parashikuar në Apelin e GJKKO për shqyrtimin e kërkesës së liderit të opozitës për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit u shty për më 25 mars. Shkak u bë mungesa e prokurorëve të çështjes, të cilët kishin njoftuar më herët arsyen “angazhim profesional”. Më 25 mars, Apeli vendos në një linjë me GJKKO e më herët me SPAK që kishin rrëzuar kërkesën dhe ankimin.

Më 1 shkurt Gjykata e Posaçme e gjeti veten në pamundësi për të marrë në shqyrtim ankimin e Sali Berishës, kundër vendimit të SPAK që nuk i dha leje për të shkuar në Kuvend. Shkak sipas gjyqtares Irena Gjoka, u bë firmosja e njoftimit për seancën, jo nga ish-Kryeministri por nga vajza e tij. Ndaj dhe për këtë arsye nuk konsiderohet i njoftuar duke shtyrë seancën për në 8 Shkurt. Por për avokatët, shtyrja e seancës është në funksion të vetëm të një synimi, djegien e mandatit të deputetit për liderin e opozitës.

Më 26 dhjetor një tjetër seancë do shtyhej për Berishën, pasi Gjykata nuk arriti dot të dilte me një vendim brenda ditës për kërkesën e mbrojtjes së zotit Berisha që Irena Gjoka të përjashtohej nga çështja. Ishte seanca kur ndërkohë do duhej vendosur mbi kërkesën e spak për shtrëngimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie, vendim që do merrej me 30 dhjetor.

Edhe më 28 dhjetor seanca do të shtyhej për shqyrtim provash pasi avokatët paraqitën argumente të reja ndaj gjyqtares Gjoka.

Menjëherë pas ndryshimit të masës Berisha bërë ankim në Apel, e cila në rrethana të pasqaruara, më 24 janar e shtyu seancën.

Më 27 shkurt Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën për Berishën pasi gjyqtarja Irena Gjoka ndodhej në një tjetër proces gjyqësor.

Në këtë seancë ishte parashikuar të shqyrtohej kërkesa e avokatëve të Berishës për revokim të masës së sigurisë.

Të gjitha këto shtyrje në kundërshtim flagrant me ligjin, bëhen ndaj kryetarit të opozitës, në kushtet e arrestit shtëpiak në të cilat ai ndodhet, masë e cila e detyron gjykatën që të zhvillojë seancat në afatet më të shpejta të mundshme pasi zvarritjet kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me cënimin e lirisë së individit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco